Abdixhiku: Rezultati i LDK-së është më i rëndi në historinë e saj
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lumir Abdixhiku ka falënderuar të gjithë votuesit e tij, që për të tretën herë radhazi i dhanë mbështetjen e nevojshme.
Abdixhiku tha se tani që rezultatet nga terreni po i vijnë, është falënderues ndaj votuesve duke theksuar se numrin e bënë ai bashkë me qytetarët.
Ani pse të njëjtin e lanë të 11-tin në listë, qytetarët ia shpërblyen siç duket duke i dhënë vota të mjaftueshme.
“Numrin e bëjmë ne.Por kjo ka pak rëndësi. Fare madje. Rezultati për ekip, për LDK-në, pa befasi ishte i rëndë – më i rëndi në histori. Mesazhi ishte i qartë e i zëshëm, ai thërret për reflektim. Kush s’e dëgjon harrohet; dhe këtë s’mund ta kemi më alternativë.Rruga përpara s’është e lehtë, por këtë rrugë LDK ka për ta gjetë. Ajo do të jetë rrugë e drejtë, siç na takon për atë që përfaqësojmë. Pa improvizime më; me plot konsistencë. Ndryshimi pas përgjegjësisë ka nisur dhe s’ka gjë që e ndalë atë tashmë”, tha Abdixhiku.
Ai madje zbuloi se ka arritur të mbledhë mbi 100 mijë vota.
“Të njëqind mijë votuesve tanë ju faleminderit.Fituesve të zgjedhjeve urime.Kosovës gëzuar ditëlindjen”.























