Dy kujtime me Hasan Hotin (Cani)

Dy kujtime me Hasan Hotin (Cani)

Anton Quni

14 prill 1999, Koshare

Në një moment forcat serbe krijuan epërsi në njerëz dhe teknikë. Njësiti jonë ishte pothuajse plotësisht i rrethuar. I mblodha ushtaret dhe i njoftova me situatën. E vendosëm që të koncentrojmë zjarrin dhe manovren, dhe të hapim shtegun për të depërtuar në thellësi të Kosovës. I përpunuam edhe detajet më të vogla. Të gjithë e kuptonim se ishte mision jetë a vdekje. Në fund, në momentin kur unë po i mendoja ca fjali motivuese, në këmbë ngritet Cani, e hudh automatikun në krah, dhe nga një rrethojë i shkëputë disa degë duke fishkëlluar me to mu drejtua me zë të lartë që të dëgjohej nga të gjithë: "Komandant, veç tregoje drejtimin dhe me këtë thupër do i ndjeki deri në Serbi". Me trup të fuqishëm dhe qëndrim stoik, përkundër breshërive dhe detonimeve ai qëndroi në këmbë deri sa e detyrova të ulej dhe strehohej pas një ahu. Padyshim se gjesti i tij ishte shembull i motivimit që i gjen vetëm në legjenda.

13 shkurt 2021, Ratkoc

Canin, me disa bashkluftetarë e vizituam ne shtëpinë e tij për ta bindur që të hospitalizohej. Ishte i lidhur në oksigjen dhe aty pranë ishin një mori medikamentesh.

Pas insistimeve tona të shumta që të vendoset në spital për trajtim, u ngrit në këmbë, me njërën dorë e kapi bombolën e ngriti në ajër dhe prap me zë të lartë na u drejtua: "une jam mire, kurrë ma mire s’kam qenë dhe nuk shkoj në spital".

Me trup të fortë si shkëmbi, shikim depërtues dhe zë të fuqishëm, na bindi se edhe kësaj radhe do t’ia dal.

I tillë ishte Cani, si në kohërat e luftës, pa i'u dridhur qerpiku e shikonte vdekjen drejtë e në sy, ashtu edhe në paqe. Trim e i patrembur!

Zoti e pastë mëshiruar shpirtin e tij!May be an image of 1 person