Ka ndërruar jetë lahutari Sadik Abazaj

Ka ndërruar jetë lahutari Sadik Abazaj

Lahutari i mirënjohur kosovar Sadik Abazaj, papritmas ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Pejë.

Sadik Abazaj nga Shkreli i Rugovës ka qenë një nga lahutarët më të shquar të Kosovës dhe gjithë shqiptarisë. Me zë melankolik ka kënduar me qindra vargje të ciklit të kreshnikëve nga eposi shqiptar, i cili konsiderohet eposi i fundit i gjallë i Evropës.

Zoti Abazaj, përveç këndimit me lahutë ka qenë mjeshtër i shquar i punimit të instrumentit të lahutës në mënyrë tradicionale, ndër të fundit në trojet shqiptare.

I vetëdijshëm për rrezikun e zhdukjes së traditës së këndimit me lahutë, Sadik Abazaj qe angazhuar kohën e fundit në një projekt për t’i mësuar të rinjtë artin e luajtjes në lahutë. Në vitin 2009 zoti Abazaj ka qenë personazh i filmit dokumentar “Lahutari i fundit” i realizuar nga shtëpia filmike “AS VIZIONI”, një bashkëprodhim me Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Shkuarja në amshim e Sadik Abazajt është një humbje e pakompenzueshme për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve në një fushë që, fatkeqësisht, po shkon drejt shuarjes.

Familja njofton që varrimi i Sadik Abazaj do të bëhet nesër në fshatin e lindjes, në Shkrel të Rugovës. RTKlive