Federata Sindikale e Bujqve kërkon dorëheqjen e ministrit të bujësisë
Pajtim Çuni
Njëri nga 12 zyrtarët publikë të arrestuar dje në aksionin “Subvencioni 2021”, është liruar, ndërsa të tjerët janë në mbajtje 48 orëshe.
Këtë e ka bërë të ditur Policia, e cila ka dhënë detaje edhe për konfiskimet. Aksioni i djeshëm është mirëpritur nga Federata Sindikale e Bujqve, kryetari i së cilës, Tahir Tahiri, kërkon që të ketë edhe aksione të tjera si dhe të dorëhiqet ministri i bujqësisë.
Në aksionin “Subvencioni 2021” i zhvilluar dje, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Prishtinë, Istog, Gjilan dhe Lipjan, përveç arrestimit të 12 persona, janë konfiskuar 433 mijë e 160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, 1 kompjuter e 5 armë. Këto të dhëna bëhen të ditura në raportin 24 orësh të Policisë, ku thuhet se “me urdhër të prokurorit njëmbëdhjetë zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtje 48 orë, ndërsa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt”. Të arrestuar dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe marrje e dhënie ryshfeti.
Aksioni i djeshëm është mirëpritur nga Federata Sindikale e Bujqve. Kryetari i saj, Tahir Tahiri, në një prononcim për Radio Kosovën kërkon që të ketë edhe aksione të tjera.
“Ne e dimë se ka iks raste të ngjashme, sikur ajo e djeshmja. Ka keqpërdorime. Ka plaçkitje të parasë publike. Ka kërkesë të mitos. Deri tash, subvencione dhe grante rrallë kush ka mund të marrë pa dhënë mito dhe atë, prej 20-30% të projektit për grante”, tha ai.
Keqpërdorimet në Ministrinë e Bujqësisë kanë filluar që nga 2010-ta, thotë Tahiri, i cili kërkon dorëheqjen e ministrit Besian Mustafa.
“Ministri duhet të japë dorëheqje. Por, edhe duhet të japë llogari për të gjitha të bërat dhe të pabërat që është dashtë t’i bëjë, sepse nuk është e vërtetë se ministri nuk i ka ditur këto gjëra. Ne kemi pasur kontakte me Besian Mustafën dhe i kemi treguar se ka shumë korrupsion”, tha Tahiri.
Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës, në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet për manipulimet me grante e subvencione nga zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar hetime e ndëshkim të abuzuesve.























