Drenica befason Feronikelin, Arbëria fiton pa problem ndaj Besës
Skuadra e Drenicës ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitë, duke e mundur Feronikelin në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 3:1.
Kuqezinjtë kaluan në epërsi me golin e Kreshnik Ukës, në minutën e 18-të. Shifrat i barazoi Simonovski (38’), por gjërat për “Niklin” u përkeqësuan në finish të pjesës së parë kur Bojku u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Menjëherë pas këtij përjashtimi erdhi edhe ndëshkimi tjetër, kur Erlis Frashëri realizoi në kohën shtesë për epërsinë e Drenicës, 2:1. Ndërkohë, golin e qetësisë për kuqezinjtë e Skenderajt e realizoi Kreshnik Uka, në minutën e 78-të. Në ndeshjen tjetër, Arbëria fitoi pa telashe në duel me Besën, me rezultat të pastër 3:0. Golat për skuadrën e Arbnor Morinës i shënuan Marclei (8’), Bahtiri (34’) dhe Kryeziu (46’).























