Beckham projekton transferimin e Messit dhe Ronaldos

Beckham projekton transferimin e Messit dhe Ronaldos

Pronari i Inter Miamit, David Beckham pranon se aspiron të nënshkruajë me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Ish-mesfushori i Manchester United dhe Milanit mori pjesë në një ngjarje për të zbuluar fanellën e re të Miamit të shtunën dhe diskutoi planet e klubit për të ardhmen.

“Unë kam thënë që nga dita e parë që sistemi ynë i akademisë është një pjesë masive e këtij klubi dhe nëse mund të sjellim lojtarë këtu që kanë jetuar dhe kanë marrë frymë te Inter Miami, atëherë ky është qëllimi”, ka thënë Beckham për AFP, transmeton Telegraf.

“Por, ne gjithashtu e dimë që duke qenë në Miami, tifozët tanë duan të shohin yjet e mëdhenj. Ne tashmë kemi lojtarë si Gonzalo Higuain dhe Blaise Matuidi të cilët ia shtojnë shkëlqimin, por gjithashtu në të ardhmen ne duam të kemi mundësinë të sjellim disa emra të mëdhenj”.

Të dy Higuain dhe Matuidi iu bashkuan Inter Miamit nga Juventusi verën e kaluar, por Beckham duket se dëshiron më shumë pasi ai refuzoi të përjashtojë lëvizjet për Leo Messin dhe Cristiano Ronaldon.

“Lojtari duhet të jetë i duhuri për ekipin, ende ka ambicie dhe dëshiron të fitojë”, shtoi Beckham.

“Pra, cilido lojtar me të cilin flasim, duhet të sigurohemi se kjo është një përparësi”.

“Sigurisht, ne gjithmonë duam të sjellim lojtarë të shkëlqyeshëm. Miami është një tërheqje e shkëlqyeshme për këdo dhe ata lloj lojtarësh [Messi dhe Ronaldo] janë lloji që ne aspirojmë të sjellim këtu”, ka shtuar më tej legjenda e futbollit.