MSH: Po presim konfirmimin final nga COVAX për marrjen e dozave të para
Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë publike disa informacione të cilat kanë të bëjnë lidhur me angazhimet për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë në komunikatën e bërë thotë se ka kryer të gjitha kriteret e kërkuara për sigurimin e vaksinave, dhe se janë duke pritur konfirmimin final nga COVAX për arritjen e dozave të para.
“MSh i siguron qytetarët se ky angazhim do të jetë maksimal, përtej çdo interesi, në përmbushje të obligimit për të siguruar shëndetin e qytetarëve, deri në pranimin e dozave të para që besojmë se do të ndodh së shpejti dhe në përmbylljen e programit të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në sqarim, përcjell Telegrafi.
Më poshtë sqarimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë, pa ndërhyrje:
Duke e ditur faktin se kërkesat për vaksinën do të jenë të mëdha gjithandej, që nga muaji korrik 2020, MSh ka filluar aktivitetet për të siguruar qasje sa më të shpejtë në sigurimin e vaksinës, në disa drejtime, duke përfshirë aplikimin përmes mekanizimit global COVAX në njërin drejtim dhe kontaktimin me shtete partnere dhe drejtpërdrejt me kompani prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.
COVAX, është një iniciativë globale që synon qasje të barabartë në vaksinat kundër COVID-19, të udhëhequra nga Aleanca e Vaksinave GAVI, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike dhe të tjerë.
1.
Me të vendosur të kontakteve të para mekanizmin COVAX dhe caktimit të pikës fokale për kontaktet e Kosovës me këtë mekanizëm, Ministrisë së Shëndetësisë i është konfirmuar nga zyrtarët e këtij mekanizimi (ku marrin pjesë OBSh, UNICEF, Banka Botarore, fondacione të ndryshme bamirëse, agjensi teknike ndërkombëtare, prodhues të vaksinave, etj.) se Kosova është kualifikuar në mesin e 92 shteteve (me të ardhura të vogla dhe të mesme), të cilat përmes këtij mekanizimi do të marrin falas vaksinën kundër COVID-19 për 20% të populaltës apo në rastin e Kosovës, doza të mjaftueshme për 360.000 banorë.
Më tej është bërë edhe aplikimi zyrtar në këtë mekanizëm, është përgatitur dhe miratuar edhe Plani Shtetëror i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë (sipas skenareve të propozuara të shpërndarjes së vaksinave nga COVAX), janë ngritur kapacitetet e duhura të Zinxhirit të ftohtë të ruajtjes së vaksinës, janë kryer trajnimet e personelit shëndetësor në modulet e nevojshme për sigurimin e njohurive dhe shkathtësivëe të reja për aplikimin e vaksinës kundër COVID, janë përcaktuar kategoritë që do të vaksinohen në tre faza si dhe është bërë edhe manuali për mbikëqyrjen dhe hetimin e efekteve anësore potenciale, i zhvilluar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Përveç planit, që është bërë publik edhe në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë: (https://msh.rks-gov.net/wp-content/uploads/2021/02/Plani-Shteteror-i-Vaksinimit-kunder-Covid-19.pdf), janë siguruar edhe të gjitha procedurat e tjera që kanë të bëjnë me importin e vaksinave dhe përmbushjen e të gjitha kushteve nga Kosova për t’i marrë vaksinat nga ky mekanizëm.
Zyrtarët e COVAX, i kanë konfirmuar MSh-së marrjen e këtij plani të cilin e kanë vlerësuar të pranuar/konfirmuar.
Me datë 3 shkurt 2021, mekanizmi COVAX ka publikuar në ueb faqen e saj edhe itinerarin e shpërndarjes së vaksinave për vendet përfituese, ku Kosova, sipas njoftimit/ itinerarit fiton 100.800 doza të vaksinës Astra Zeneca, në fund të muajit shkurt (përkatësishtën në kuartalin e parë Q1 të vitit 2021 (janar-mars 2021).























