Nëntëvjeçari i shkruan letër Bidenit
Një nxënës i klasës së tretë në një shkollë të Prishtinës i ka shkruar një letër presidentit amerikan Joe Biden.
Nëntëvjeçari i ka kërkuar presidentit të shtetit më të fuqishëm mbështetje në mënyrë që në shkollën e tij të mësojnë më shumë për Amerikën.
“Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në. Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, sport dhe të tjera”, ka shkruar ai, njofton Klan Kosova.
Letrën e djaloshit nga Prishtina drejtuar presidentit amerikan, Joe Biden, e ka postuar ambasadorja në detyrë e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.
“Një nëntëvjeçar, nxënës i klasës së tretë, nga Kosova i ka shkruar një letër presidentit Joe Biden duke i kërkuar mbështetjen e tij, sepse ai do të donte të mësonte më shumë për Amerikën në shkollë. Nuk mund të jetë më e ëmbël se kaq”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.
Letra e plotë e nxënësit të klasës së tretë që ia ka dërguar presidentit amerikan Joe Biden:
I dashuri z. Joe Biden,
Shkëlqesia juaj i nderuar president
Shpresoj se je mirë dhe e ke pasur një fillim të mirë në Shtëpinë e Bardhë. Emri im është Diell Sadriu dhe jam nga Kosova, Prishtina. Jam nëntëvjeçar dhe jam në klasën e tretë në British School në Kosovë.
Po ju shkruaj që me mirësjellje t’iu kërkoj që ta mbështesni shkollën tonë. Ne i mësojmë disa lëndë, por ne mësojmë shumë pak mësime për SHBA-në. Ne do të ishim shumë të lumtur sikur të kishim më shumë libra dhe mësime për SHBA-në si p.sh. historinë amerikane, sport dhe të tjera.
Pres që të dëgjoj së shpejti nga ju,
Gjithë të mirat,
Diell Sadriu
























