Ademi ngushëllon Shukerin për Kranjçarin
BKT
Sport

Ademi ngushëllon Shukerin për Kranjçarin

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi i ka dërguar një telegram ngushëllimi homologut të tij kroat, Davor Shuker, për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të famshëm kroat, Zlatko Kranjçar.

Në mesazhin e tij, Ademi ka shkruar se Kranjçar ishte futbollist i klasit botëror dhe idhull për shumë breza, jo vetëm në Kroaci por edhe më gjerë, teksa ka përmendur edhe faktin se gjatë viteve të 80-ta kur Kranjçar ishte në ‘top-formë’ si futbollist në fanellën e Dinamos, kjo skuadër kishte shumë tifozë edhe në Kosovë.

Telegrami i plotë i presidentit të FFK-së

I dashur President,

Miku im Davor,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të legjendës së futbollit kroat, Zlatko (Cico) Kranjçar. Ai ishte një ish-futbollist i klasit botëror dhe idhull për shumë breza.

Zlatko ishte frymëzim për gjeneratat e reja jo vetëm në Kroaci, por edhe më gjerë e veçmas në rajonin tonë.

Ai dhuroi shumë momente emocioni e gëzimi për tifozët e futbollit kroat, e sidomos për ata të klubit të tij të zemrës, Dinamos, të cilët në vitet e 80-ta ishin në numër të madh edhe në Kosovë.

Sot, futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Zlatko pa dyshim e meriton një vend të veçantë jo vetëm në historikun e futbollit kroat, por edhe atij botëror për të arriturat e tij qoftë si futbollist apo edhe si trajner.

Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit në Kosovës më lejoni t’u shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta për Ju, Familjen Kranjçar dhe tërë komunitetin e futbollit kroat.

I paharruar qoftë kujtimi për Zlatkon!

Me respekt,

Agim Ademi

President i FFK-së