Juve vuan, por mund Spezian

Juve vuan, por mund Spezian

Juventus vuan jo pak ndaj Spezias, por në fund ia del të rikthehet te fitorja dhe të marrë tre pikë mjaft të rëndësishme, që e ngjitin përkohësisht në kuotën e 49 pikëve, në vendin e tretë të renditjes.

Pirlo u përball me dëmtimin e De Ligt në nxehje para ndeshjes dhe në mungesë të mbrojtësve të tjerë qëndrorë, aktivizoi Frabottën në krah, duke spostuar në qendër brazilianin Alex Sandro, i cili luajti edhe me shiritin e kapitenit në krah.

Nga ana tjetër Spezia e nisi ndeshjen mjaft mirë, duke qarkulluar topin në mënyrë të dendur dhe duke shkuar disa herë rrezikshëm në portën e Szczesnyt, por pa arritur të kërcënojnë kuadratin e polakut.

Juventus u zgjua vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, teksa fillimisht me Chiesën e më pas me Ronaldon e Kulusevskin, i shkoi pranë golit të avantazhit, megjithatë pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0.

Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për Spezian, teksa në minutën e 60’ Pirlo kërkoi ndihmën e Moratës, i cili u përgjigj mjaft mirë, pasi vetëm dy minuta më vonë shënoi golin e avantazhit, pas një asisti të Bernardeschit, i cili gjithashtu sapo ishte aktivizuar.

Goli çliroi bardhezinjtë, që krijuan disa raste të tjera dhe mbyllën llogaritë me Chiesën në minutën e 71-të, pasi talenti italian përfitoi nga një top i mbetur para portës, pas grushtimit të portierit Provedel dhe e shtyu në rrjetë.

Spezia provoi të rihapë ndeshjen, por pa rezultat, teksa një minutë para fundit të kohës së rregullt gjeti golin edhe Cristiano Ronaldo.

Në minutat shtesë Spezia fitoi një penallti, por Szczesny priti gjuajtjen e Galabinov dhe ruajti portën të paprekur, duke vulosur suksesin 3-0 të bardhezinjve.