Vdes një minator në veri të Kosovës, Prokuroria e cilëson të dyshimtë
Një minator në minierën “Cërnac” në Leposaviq ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punës në horizontin e tetë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për veri, Branislav Radoviq, përcjell “Kossev” të mërkurën.
Minatori i nacionalitetit serb (1962) vdiq të martën mbrëma, pas lëndimeve të marra, tash për tash në rrethana të pasqaruara. Vdekja e tij, sipas mediave, u konstatua nga mjekët në Shtëpinë e Shëndetit në Leposaviq.
Me urdhër të prokurorit, sipas “Kossev”-it, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë. Prokurori e ka cilësuar vdekjen e minatorit “si të dyshimtë”.
Ky është rasti i dytë i vdekjes në këtë minierë në 12 muajt e fundit.
Minierat në veri nuk menaxhohen nga Bordi i “Trepçës”, i emëruar nga Qeveria e Kosovës. /EO























