Osmani: Mësimdhënësit, bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë

Osmani: Mësimdhënësit, bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, duke uruar mësimdhënësit për 7 Marsin, duke thënë se përkulet përpara punës së mësuesve e të mësuesve tona, përpara të gjithë atyre që ndriçimin e rrugëtimit të dijes e kanë mision të jetës.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se  mësimdhënësit janë bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë “e ata që i ndriçuat me mësimet tona janë garanca jonë më premtuese për një të ardhme më të mirë”.

Postimi i plotë i Osmanit:

“Në 7 marsin e vitit 1887, në Korçën e bukur, në qytetin e serenatave u ekzekutua një nga notat më domëthënëse të historisë sonë që hapi rrugën për kompozimin e një serenate të veçantë për popullin tonë. Në 7 marsin e 134 viteve më parë u hodhën hapat e parë në rrugëtimin më fisnik që ndriçoi mendjet tona. Në këtë ditë, me ndërtimin e mësonjëtores së parë shqipe u vu bazamenti më i qëndrueshëm i arsimit shqiptar.

Në frymën e atdhetarëve e veprimtarëve të shquar që dhanë kontributin fisnik për kombin, përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe e zhvillimin e arsimit u përhapën qytet pas qyteti, e cep me cep aty ku flitej e bukura gjuhë e jonë.

Ashtu siç nuk ishin fillimet e lehta për të parët tanë, aspak e lehtë nuk është as historia e arsimit të ditëve tona. Të freskëta i kemi kujtimet kur tentuan të na mohonin të drejtën për arsim, të freskëta i kemi përjetimet e të mësuarit në shtëpitë që u shndërruan në djepin e arsimit, vetëm e vetëm që serenata e arsimit të mos ndalonte së kumbuari e rrugëtimi i dijes të vazhdonte përkundër pengesave.

Sot jetojmë në një realitet ndryshe, sot e drejta për arsim është e garantuar. Por ende sot, sfidat mbeten të mëdha e punët që duhen bërë janë të shumta. Përderisa lëngon sistemi jonë i arsimit, bashkë me të do të lëngojë edhe shoqëria jonë. Sepse, nuk ka vend që jeton në mirëqenie të plotë e gëzon progres të vërtetë, përderisa pjesë të caktuara të shoqërisë ballafaqohen me sfida për t’u qasur bankave shkollore e gjersa aftësia e nxënsve tanë për të përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre të leximit, matematikës dhe shkencës për të përmbushur sfidat e jetës reale nuk janë në nivelin e dëshiruar.

Secilën herë që vizitoj shkollat e vendit tonë, kuptoj sa shumë potencial kemi e sa jo mjaftueshëm është bërë. Andaj, rrugëtimin tutje do e vazhdojmë duke prioritizuar investimet në këtë drejtim, duke u angazhuar për një zhvillim të dinjitetshëm të sistemit të arsimit, e duke u angazhuar për mësim cilësor e të qasshëm për të gjithë.

Sot dua në veçanti të përkulem përpara punës së mësuesve e të mësuesve tona, përpara të gjithë atyre që ndriçimin e rrugëtimit të dijes e kanë mision të jetës. Ju jeni bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë e ata që i ndriçuat me mësimet tona janë garanca jonë më premtuese për një të ardhme më të mirë.

Të dashur mësues e mësuese të vendit tonë, urime 7 Marsi!”, ka shkruar Osmani.


MË SHUME NGA Aktuale