Mësimi në UP është duke vazhduar në formë të kombinuar
BKT
Lajme

Mësimi në UP është duke vazhduar në formë të kombinuar

Albana Bajrami, Radio Kosova

Ky vendim ishte marrë nga Senati i këtij universiteti, në kuadër të Manualit për mbrojtje nga përhapja e Covid-19 si dhe rekomandimin e Konferencës së Rektorëve, lidhur me mënyrën e mbajtjes së mësimit për semestrin veror të vitit akademik 2020/21. Mësimi në këtë formë, është duke u mbajtur edhe në institucionet e tjera të arsimit të lartë.

Institucionet e arsimit të lartë po vazhdojnë mësimin në formë të kombinuar, duke u bazuar në Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19.

Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës, Mimoza Ibrani, tha për Radio Kosovën, se universiteti ka marrë vendim, që në rrethanat e pandemisë COVID-19, njësitë akademike kanë të drejtën e përcaktimit për formën e organizimit të procesit mësimor, varësisht nga vlerësimi i gjendjes momentale lidhur me pandeminë dhe rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik. 

Prorektorja Ibrani, bëri të ditur se semestri veror ka filluar me kohë siç e parashikon statuti, ndërsa foli edhe për mbarëvajtjen aktuale të procesit mësimor, ku theksoi se aktualisht shumica e ligjëratave janë duke u organizuar në formën online.

Ndërkohë, studentët thonë se po ballafaqohen me vështirësi.

Studentja e Fakultetit Juridik, Jeta Fazliu, thekson se procesi online nuk është efikas.
Ndërsa, Albert Ahmeti, i cili vazhdon studimet master në gazetari, thotë se ligjëratat online vetëm sa të kursejnë kohën për të mos shkuar në fakultet.

Ndërkohë, të gjitha njësitë akademike që kanë specifika të veçanta dhe që kërkojnë përfshirjen praktike të studentëve, organizohen në mënyrë fizike, duke iu përmbajtur udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për respektimin e masave.

 


MË SHUME NGA Lajme