Solskjaer pas barazimit me Milanin: Ky është një mësim
Ole Gunnar Solskjaer, trajner i Manchester United, sigurisht që nuk mund të jetë i kënaqur pas barazimit me Milanin, kur gjithçka po mbyllej me epërsinë e skuadrës së tij.
Gjithsesi Kjaer në fund ndëshkoi portierin Henderson dhe tekniku norvegjez theksoi për BT Sport se duhet të nxjerrin mësime nga ky duel.
“Jam shumë i zhgënjyer që pësuam gol në goditjen e fundit, me kokë. Kjo e bën më të vështirë çështjen e kualifikimit, por sidoqoftë do të vendosej në ndeshjen e dytë në Milano”, tha fillimisht Solskjaer, ndërkohë që më pas u ngacmua për golin e pësuar.
Portieri mund ta kishte devijuar topin e gjuajtur nga Kjaer, por nuk e bëri diçka të tillë.
Solskjaer për këtë shton: “E kam parë Henderson të ndalë raste të tilla. Ky është një mësim që duhet të marrim. U tërhoqëm shumë, u bllokuam dhe ata morën kohën për të goditur. Duhet ta kishim sulmuar topin me më shumë lojtarë që kishim aty. Ishim pak të ngadaltë me zotërimin e topit. Ky është mësimi që duhet të marrim, pasi duhet të luajmë çdo javë dhe po e bëjmë kundër ekipeve të mira. Me Milanin ndoshta barazimi ishte një rezultat i drejtë”.























