Turqia reagon pas hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem
Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka sjellë dhe reagimin e Turqisë.
Përmes një njoftimi për mediat Turqia e dënon hapjen e ambasadës duke e cilësuar një hap të papërgjegjshëm dhe të paligjshëm, transmeton oranews.albania.
Ndër të tjera në njoftim thuhet se “vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq”.
“Duke vepruar në këtë mënyrë, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon.
Ne i inkurajojmë udhëheqësit kosovarë që të dëgjojnë mendjen e shëndoshë dhe të heqin dorë nga ky hap i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm”, - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.























