Mjeku kosovar që mori vaksinën në Kukës: Më pritën shumë mirë
Mori vetiniciativë që të shkojë në Kukës për t’u vaksinuar me vaksinën anti-Covid. Është ky gjinekologu vushtrrias, Blerim Feka i cili shënon mjekun e parë kosovar që iu përgjigj thirrjeve të Ramës për vaksinim.
Ky mjek ka folur rreth vaksinimit të tij.
“Dëgjova lajmin në media që kryeministri Rama bëri thirrje. Dhe shkova e u vaksinova. Sot në ora 10:00 u nisa për Kukës. Iu tregova që jam mjek, mi kërkuan dokumentet dhe gjithçka tjetër shkoi mirë. Pritja ishte shumë e mirë. Mora vaksinën dhe ju falënderova”, thotë ai për indekOnline.
Gjinekologu kosovarë shprehet tutje se vullnetarisht ka shkuar në Kukës për t’u vaksinuar.
Ai thekson se dozën e dytë do ta marrë pas 10 javëve
“Mirë jam me shëndet. Nuk kam asnjë telaëshe. Dozën e dytë do ta marrë pas dhjetë javëve. U sigurua edhe doza e dytë më thanë mjekët”, tha ai.
E pas mbërritjes së rreth 38 mijë vaksinave në Shqipëri nga kompania AstraZeneca, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në pamundësi për të dërguar një sasi të tyre në Kosovë, u ka bërë thirrje mjekëve të Kosovës të marrin vaksinën në Kukës.
Të hënën pritet që të aplikohet vaksinimi i të gjithë mësuesve në Shqipëri. Ky vaksinim nisi me një grup të vogël të cilët morën dozën e parë në fundjavë.
Më një janar, Rama, në një konferencë për media, pati deklaruar se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti-COVID-19.
Rama po ashtu kishte premtuar se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë.
“Shqipëria nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës”, kishte theksuar Rama.
Prandaj, u ka bërë ftesë mjekëve nga Kosova të udhëtojnë për në Shqipëri që të vaksinohen.























