Nxënësit kosovarë tregohen atraktiv në fushatën “MyFreedomDay” në CNN
BKT
Lajme

Nxënësit kosovarë tregohen atraktiv në fushatën “MyFreedomDay” në CNN

Shkolla finlandeze në Kosovë ka realizuar një sërë aktivitetesh për të qenë pjesë e fushatës së ndërgjegjësimit të nxënësve për të drejtat e njeriut në botë. Kjo fushatë është organizuar nga kompania më e madhe mediatike në botë CNN me moton “#MyFreedomDay”. E pikërisht aktiviteteve të nxënësve të kësaj shkolle iu ka dhënë hapësirë edhe në CNN.

Lidhur me këtë fushatë dhe mënyrë e prezantimit të aktiviteteve të nxënësve të Shkollës finlandeze në Kosovë në CNN në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK kanë folur Edlira Dibrani, zyrtare për marrëdhënie me publikun dhe nxënësi i kësaj shkolle, Donat Halimi, poezia e të cilit u zgjodh për t'u shfaqur në CNN.

Edlira Dibrani ka thënë se ka qenë nder për këtë institucion arsimor që të jetë pjesë e fushatës së CNN-it. “Ka qenë kënaqësi dhe nder për ne që të përzgjidhemi në mesin e shkollave të pakta në botë që të publikohemi edhe ne në CNN dhe të jemi pjesë e kësaj fushate e t’i shfaqim aktivitetet e shumta që i kanë organizuar nxënësit së bashku me mësimdhënësit tanë. Të publikohemi aty dhe ta shfaqim këtë ndërgjegjësim tek një audiencë më e madhe ka qenë nder por edhe mundësi për nxënësit tanë. Aplikimi për të qenë pjesë e kësaj fushate ka filluar para disa muajsh. Mesazhi kryesor i kësaj fushate ka qenë ‘Përfundimi i skllavërisë së ditëve të sotme kudo në botë”, për të cilat nxënësit tanë kanë prezantuar projekte të ndryshme.

Ndërkaq, nxënësi i kësaj shkolle, Donat Halimi, ka dhënë detaje nga kjo fushatë.
“Këtu kemi qenë të përfshirë të gjithë nxënësit e shkollës me prezantime dhe projekte të ndryshme, normalisht me ndihmën e profesorëve. Kemi qenë të ndarë në grupe, ku secili grup ka prekur tema të caktuara si e drejta e të shprehurit, e drejta dhe barazia gjinore, e drejta për shkollim, por edhe tema më delikate si dhuna në familje, droga dhe trafikimi i fëmijëve. Kemi pasur kohë rreth dy javë për t’i përgatitur posterët dhe projektet e ndryshme, derisa unë e kam shkruar një poezi në gjuhën angleze e cila është përzgjedhur për t’u shfaqur në CNN. Kjo poezi flet për të drejtën e shprehjes dhe lirisë së të shprehurit. Ka qenë një ndjesi shumë interesante shfaqja e saj në CNN dhe është krenari si për shkollën, ashtu edhe për mua dhe për prindërit e mi”, ka thënë nxënësi Donat Halimi.

Ndërkohë, Edlira ka thënë se Donati është një prej nxënësve të shkëlqyeshëm, i cili nëpërmjet kësaj poezie e ka shprehur kreativitetin, por në të njëjtën kohë ka prekur tema aktuale edhe për nxënësit, sepse e drejta e shprehjes së lirisë është gjëja kryesore për t’u zhvilluar si individë edhe nxënësit.

Ajo tutje ka bërë të ditur se pjesë e kësaj fushate ndër aktivitetet e shumta të kësaj shkolle ka qenë edhe një Cover nga Isra Abazi, me mesazhin që të lirohemi nga cenimi i të shprehur të lirë, si dhe një video me mesazhe të përzgjedhura të nxënësve rreth lirisë dhe shfarosjes së skllavërisë së ditëve të sotme dhe një performancë e nxënësve të klasës së pestë dhe të gjashtë.

Për më shumë ndiqeni videon:


MË SHUME NGA Lajme