550 zyrtarë publikë kanë deklaruar deri më tani pasurinë
Arbenita Marmullaku
Vetëm 550 zyrtarë publikë kanë deklaruar deri më tani pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Kosovë.
Afati për deklarim ka nisur nga 1 mars dhe do të zgjasë deri më 31 mars. Sipas të dhënave të agjencisë, numri i zyrtarëve që obligohen të bëjnë deklarimin e pasurisë është rreth 5 mijë. Vitin e kaluar janë ngritur mbi 90 kallëzime penale për mosdeklarim të pasurisë por në asnjë rast nuk ka pasur dënime me burg por vetëm gjoba të lehta.
Nga data 1 mars 2021 e deri më tani vetëm 550 zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Kështu ka bërë të ditur për Radio Kosovën drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, i cili tha se një pjesë e madhe e zyrtarëve nuk deklarojnë deri në javën e fundit.
“ Deri më tani kanë deklaruar rreth 550 zyrtarë publikë pasurinë e tyre dhe mbetet që deri në fund të marsit ta deklarojnë edhe rreth 4500 zyrtarë, sepse përafërsisht numri që duhet të deklarojnë pasurinë është rreth pesëmijë zyrtarë. Deri tani ka ngecje për sa i përket deklarimit të pasurisë. Zakonisht e lënë në javën e fundit e që neve na paraqet pengesa të mëdha në pranimin e këtyre formularëve dhe kontrollit të tyre se a janë plotësuar sipas standardit të ligjit të deklarimit të pasurisë”, tha Havolli.
Havolli tha se në rast se vonohen apo nuk deklarojnë fare pasurinë zyrtarët publikë, ndaj tyre do të ushtrohet kallëzim penal. Ndërsa gjatë vitit të kaluar Agjencia Kundër Korrupsionit ka proceduar në prokurori mbi 90 kallëzime penale ndaj këtyre zyrtarëve. Havolli nuk dha detaje lidhur me këto kallëzime penale.
“Agjencia Kundër Korrupsionit ka proceduar në prokurori mbi 90 kallëzime penale ndaj zyrtarëve publikë. Ndërsa AKK në fund të marsit do të dalë me raport të punës për të gjitha veprimet që i ka marrë në vitin 2020”, shtoi Havolli.
Ndërsa hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Gëzim Shala, tha se lidhur me kallëzimet penale ndaj zyrtarëve publikë për mosdeklarim të pasurisë gjatë vitit 2020, ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e prokurorisë. Mirëpo, nga praktikat e kaluara nuk ka pasur ndonjë dënim të madh ndaj tyre, thotë Shala.
“ Një numër i konsiderueshëm i këtyre kallëzimeve penale janë hedh nga ana e prokurorit të shtetit. IKD deri më tani nuk ka evidentuar asnjë rast që një zyrtar publik të jetë dënuar me burgim efektiv. Gjobat për këto raste janë të ulëta dhe në rastin konkret nuk aplikohet fare dënimi i përcaktuar me burgim si dënim ligjor”.
Zyrtarët publikë kanë afat për deklarim të pasurisë deri më 31 mars. Ndërsa formularët dërgohen në mënyrë elektronike për shkak të pandemisë.























