Dhuna në familje po shënon çdo vit rritje
BKT
Lajme

Dhuna në familje po shënon çdo vit rritje

Ariana Kasapolli, Radio Kosova

Dhuna në familje po shënon çdo vit rritje. Sipas statistikave zyrtare  të Policisë së Kosovës vetëm gjatë vitit 2020, janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima kanë qenë gratë.


Psikologët në vend thonë se ka shumë faktorë që ndikojnë në rritje të rasteve të dhunës, ku ndër të tjera vitin e fundit ka ndikuar edhe pandemia, si dhe gjendja socio ekonomike e familjeve.


Gjatë vitit 2020 janë raportuar 2069 raste të dhunës në familje. Numri i raportimeve për këtë problematikë është rritur krahasuar me vitin 2019, ku ishin raportuar 1915 raste të dhunës në familje. Këto të dhëna janë marrë nga Policia e Kosovës, sipas të cilëve, trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e Policisë  në bashkëpunim me qytetarët ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës tha për Radio Kosovën se dhuna në familje, është një fenomen mbarë botëror, por masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës  me mekanizmat e tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje, reflekton qasjen pro-aktive në fushën e parandalimit dhe sensibilizimit të shoqërisë, përfshirë fushatat sensibilizuese.


Por, psikologja Ermira Shabani në një bisedë për Radio Kosovën tha se institucionet gjegjëse në Kosovë nuk po bëjnë aq sa duhet për të investuar në shëndetin mendor të popullatës në përgjithësi, dhe t’u dalin në ndihmë atyre që kanë nevojë, e që përjetojnë dhunë në familje.

 ‘’ Duhet bërë më shumë, për shkak se institucionet vendore duhet ta fuqizojnë mbështetjen psiko- sociale të shoqërisë, dhe të jetë funksional në mënyrë që ato të ndiejnë ndihmën në momente të caktuara të jetës së tyre’’, tha ajo.


Ermira Shabani ndërkohë shton se ka shumë faktorë që ndikojnë në rritjen e dhunës në familje. Vitin e fundit ajo thotë se faktori kryesor ka qenë pandemia. Ajo nuk anashkalon as stresin për shkak të statusit socio ekonomik të familjeve, por edhe arsimimin e  njerëzve.


’ Gjithë këta janë faktorë që ndikojnë në mirëqenien psikologjike të një individi e që reflektohet në rrethin familjar’’, deklaroi ajo.


Sidoqoftë, viktima të dhunës në familje janë kryesisht gratë.

 

Në Kosovë janë gjithsej dhjetë strehimore joqeveritare dhe një e udhëhequr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku në vit strehohen rreth 100 gra. Aty, kryesisht, strehohen viktima të dhunës në familje dhe të trafikimit.

Por, buxheti për kujdesin ndaj këtyre viktimave ndër vite mbetet i mangët. Viktimat e dhunës seksuale, ato të dhunës familjare apo të trafikimit, për mungesë buxheti, nuk po gjejnë trajtim për ri-integrim në shoqëri. 


MË SHUME NGA Lajme