Diamant Abrashi kthen në shqip poetët zvicrranë
BKT
Kulturë

Diamant Abrashi kthen në shqip poetët zvicrranë

Poeti dhe përkthyesi Abrashi vjen me dy përmbledhje poezish të botuara në shqip e italisht.

Gjatë këtyre ditëve poeti dhe përkthyesi nga Gjakova, Diamant Abrashi,  me nënshtetësi zvicërrane, vjen para lexuesve me dy përmbledhje të reja poezish të botuara në shqip e italisht.

Abrashi i takon brezit të krijuesve të viteve ‘90-ta. Ai deri me tash ka publikuar përkthimin e veprës ”Homeri i verbër” të poetit të njohur arbëresh Franco Esposito, përcjell KultPlus.

Përkthimi mjaft cilësor i kësaj vepre i ka dhënë atij guxim dhe kurajë që të merret edhe me përkthimin e autorëve tjerë italianë.

Abrashi së fundi ka përzgjedhur për përkthim në shqip autorët më të mirë të poezisë bashkëkohore italiane të kantonit Tiçino të Zvicrrës. Ai ka përkthyer poezitë e Adele Desideri,Alberto Nessi, Angelo Maugeri,Carla Ragani etj.

Ky cikël poezish titullohet “Brigjet-Sponde” dhe përmban njëqind e njëzetepesë poezi që zgjojnë kërshërinë e secilit lexues.

Libri tjetër me poezi i Abrashit quhet ON-LINE (Letrat e pashkruara) dhe përbëhet nga vargje ose njësi poetike që vijnë njëri nën tjetrin. Prandaj libri ka pamjen e një kolone me vargje.

Vargu si varg del me kuptim të plotë. Poezitë e Abrashit lidhen kryesisht me jetën, dashurinë dhe vdekjen e njeriut. Një nga temat në këtë libër është edhe lirika e dashurisë, së cilës nuk i shpëton sikurse poetët tjerë as Abrashi.

Gjatë leximit të këtyre poezive lexuesi krijon përshtypjen që Abrashi e ka marrë si model edhe llojin e lirikës së poetit tonë të madh Lasgush Poradeci. Në këto poezi poeti bën dialog me dashurinë, me kohën duke shprehur fate me dimensione të reja e që mund të kapen nga kënde të ndryshme. Po ashtu, në këtë përmbledhje poezish nxjerr krye dashuria dhe malli për atdheun, ku autori këtë dashuri e shpreh tek poezitë “Dasma gjakovare” dhe “Fole e vjetër”.

Diamant Abrashi gjithashtu ka lënë shije të mirë tek lexuesit edhe me përmbledhjet e më hershme të poezive “Qortimet e Vonuara”, “ L’esilio” dhe “Hapa nëpër kohë” të botuara edhe në italisht nga shtëpia botuese “ARMANDO DADO” e Locarnos së Zvicrrës.

Krijimtaria e këtij krijuesi përputhet fjalë për fjalë me kohën, andaj edhe është pjesë e letërsisë së shumë gjuhëve të huaja.


MË SHUME NGA Kulturë