Sonte Kosova-Lituania, live në RTKHD1
Kombëtarja e Kosovës në futboll, sonte luan miqësoren kundër Lituanisë, raporton RTKLive.com.
‘Dardanët’ dhe lituanezët do të përballen në tempullin ‘Fadil Vokrri’, në një sfidë miqësore por e rëndësishme për dy skuadrat para kualifikueseve për Kupën e Botës ‘Katar 2022’.
Kombëtarja jonë në këtë ndeshje hyn pa kapitenin Amir Rrahmanin e lënduar dhe portierin Aro Muriçin e përjashtuar për arsye disiplinore.
Miqësorja me Lituaninë do t’i shërbejë mjaft shumë trajnerit Bernard Challandes për të parë nga afër formën e lojtarëve para kualifikuesve për Botërorin 2022.
“Mendoj se është mundësi e mirë që të nisim fushatën e re me një ndeshje miqësore. Për ne është ndeshje e rëndësishme, për mua, për futbollistët, e jo miqësore që të nisim në mënyrën sa më të mirë këtë kampanjë”, ka thënë Challandes.
Kosova të dielën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’ kundër Suedisë nis kualifikueset e Kupës së Botës ‘Katar 2022’, ndërsa tri ditë më vonë sfidon Spanjën në Sevilla.
Kujtojmë së miqësorja Kosova-Lituania nis në orën 20:45 dhe transmetohet direkt në RTKHD1. /RTKLive/























