Kurti porosit AKP-në t`i pezullojë të gjitha vendimet përkohësisht
Kryeministri kërkon pezullimin deri në komunikimin e ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti i është drejtuar me një kërkesë Bordit të Drejtorëve të AKP’së.
Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit që të pezullojë deri në komunikimin e ardhshëm çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfardo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik.
“Po ashtu, kerkoj që të pezulloni çdo vendimmarrje te ndërmarrjet shoqërore që janë të privatizuara me kushte e që janë akoma nën administrimin e AKP-së”, ka shkruar Kurti.
Sipas kryeministrit, Qeveria e re ka filluar punën këtë javë dhe programi qeverisës do të hartohet së shpejti.
“Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionin e AKP-së. Ju lutem të keni në konsideratë këtë kërkesë deri në vendimin e ardhshëm te Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruhet në letrën e Kurtit.























