Kërkojnë dorëheqjen, PSD: Aliu dhe Kurti s’po bëjnë zë për aktakuzën
Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik ka kërkuar sot dorëheqjen e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu për shkak të aktakuzës për keqpërdorim detyre gjatë kohës sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
Anëtarë të këtij subjekti politik kanë vendosur në dritaret e objektit të Qeverisë disa banerë të shkruar në emër të ministrit Aliu, sipas së cilës ky i fundit duhet të jep dorëheqje nga posti i ministrit.
Teutë Rrusta para mediave tha se kryeministri Albin Kurti nuk po bën zë, ndërkohë që ishte Lëvizja Vetëvendosje që ka vendosur standardet për luftën kundër korrupsionit dhe për një qeveri me ministra pa aktakuza. Heshtja e Kurtit dhe Aliut karshi kësaj çështjeje, sipas saj i hap rrugë përndjekjes së opozitës.
Rrusta: Kurti dhe Aliu nuk po bëjnë zë për aktakuzën
“Ne sot kemi ndërmarrë një aksion simbolik ku i kemi shkruar dy letra, njëra do të duhej të ishte e ministrit Aliu e tjetra e kryeministrit Kurti, të cilët në diskutimin e fundit lidhur me keqpërdorimin dhe korrupsionin nuk janë bërë të gjallë, nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme... Këto do të duhej të ishin letrat... të njerëzve që kanë vendosur standarde të tilla për mënyrën sesi duhet të funksionojë morali, nderi etj... Nëse aktakuza nga gjykata nuk konsiderohet si problem nga këta që e kanë paraparë si problem, atëherë kjo i hap udhë përndjekjes së opozitës dhe kujtdo që nesër apo pasnesër do ta kundërshtojë këtë qeveri”, tha ajo.
Karshi kësaj aktakuze pati reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku ka thënë se ndonëse nuk pajtohet politikisht me Liburn Aliun, ky i fundit bashkë me punonjës të tjerë komunalë kanë mbrojtur interesin publik dhe atë të komunës.
“Përkundër presioneve, shantazheve e kërcënimeve këta zyrtarë kanë rezistuar. Dhe sot akuzohen për mbrojtjen e interesit publik... Unë nuk e di çdo lëndë në urbanizëm e në komunë sepse është e pamundur... Aty ku kuptoj se ka keqpërdorime i kam lajmëruar vet në polici... Por në këtë rast qëndroj prapa drejtorëve e zyrtarëve, prapa Liburnit, Ardianit, Mimozes, Bahtijes, Nazifes e Zejnes se përderisa kanë mbrojtur interesin publik nuk mund të jenë gabim. Kjo do të shpjegohet lehtë edhe në opinionin publik edhe në gjykatë. Në qoftë se qëllimi është për të dëmtuar Liburnin e tjerët janë dëm kolateral kjo nuk është mënyra e duhur. Jo me aktakuza të tilla”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Teutë Rrusta, e pyetur lidhur me qëndrimin e Ahmetit dhe aksionin e sotëm të PSD-së tha se nuk janë mbledhur për të vlerësuar fajin apo pafajësinë e Aliut, por për të kërkuar llogari nga Lëvizja Vetëvendosje për atë që vetë kjo e fundit ka vendosur për parim.
Rrusta: Nuk jemi këtu për të marrë anë
“Ne këtu nuk jemi duke marrë anë nëse Liburn Aliu është i fajshëm ose jo, çka jemi duke thënë ne është se Lëvizja Vetëvendosje e ka vendosur standardin që kushdo që ka aktakuzë nuk guxon të udhëheqë institucionin. Nuk është kjo sipas nesh, por sipas fjalëve të tyre”, tha ajo.
Ndërkaq pas publikimit të aktakuzës, Aliu pati reaguar duke thënë se ngritja e aktakuzës pa njoftimin e tij si palë, është shkelje e procedurës, për çka ka shtuar se do të kërkojë përgjegjësi.
Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate është deklaruar në lidhje me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Liburn Aliut. Prokuroria ka bërë të ditur se më 23 prill 2018 ka pranuar kallëzim penal ndaj personave: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokurori i Shtetit, më datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (më datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A.) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë”, thuhet në komunikatë.























