Kurti: Drejtësia për krimet është obligimi jonë institucional
BKT
Lajme

Kurti: Drejtësia për krimet është obligimi jonë institucional

Kryeministri premton të sjellë drejtësi për krimet dhe të pagjeturit.

Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti i shoqëruar nga kandidatja për presidente,  Vjosa Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, deputetja Vasfije Krasniqi, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,  si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, kanë bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë te Vogël.

Homazhet i filluan të Kompleksi Memorial në Krushë të Madhe të Komunës së Rahovecit, në 22- vjetorin e  masakrës  së kryer nga forcat serbe të mbi 243 personave.

 

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti tha se edhe sot e kësaj dite i kemi 64 të zhdukur, e në mesin e tyre edhe profesorin Ukshin Hoti.

“Drejtësia për krimet e kryera nga Serbia mungon dhe është obligim i  yni institucional që të angazhohemi maksimalisht me Institutin e ardhshëm për Krimet e Kryera gjatë Luftës dhe me aktivizimin e  Prokurorisë Speciale e të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në mënyrë  që të arrijmë që t’i shërojmë plagët e luftës duke zbardhur fatin e të pagjeturve dhe duke sjell drejtësi që duhet të  gjykojë e të dënojë kriminelët  e luftës”, tha ai.

Pas Krushës së Madhe, vazhduan për në Kompleksin e Varrezave në Krushë të Vogël të Komunës së Rahovecit.

“113 veta u vranë në Krushë të Vogël dhe ky është një shembull i gjenocidit të Serbisë  në pranverën e vitit 1999.  Atëherë kur ajo synonte shfarosjen e shqiptarëve, terrorin mbi neve në mënyrë që të na shporrin nga  toka jonë e lashtë, ku jemi popull autokton dhe që nuk i ka dashur askujt të keqen, por vetëm të mirën për të gjithë”,  tha Kryeministri Kurti.

 

Nga Krusha e Vogël, Kryeministri Kurti u zotua se do të angazhohen si askush tjetër para tyre, për drejtësi për Kosovën, për familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve , për humbjet, vuajtjet  e viktimat që i kemi, për dëshmorët dhe martirë, të cilët paguan çmimin e njëjtë të lirisë sonë kaq të vlefshme dhe pavarësisë sonë të shpallur këtu e 13 vjet më parë.

“Përkulemi para të gjitha këtyre varreve e familjeve të cilët përditë e ndjenjë mungesën e thellë të më të dashurve të tyre që nuk ishin vetëm anëtarë të këtyre familjeve, por shqiptarë e qytetarë të vendit ndaj të cilëve kemi borxh e obligim”, përfundoi Kryeministri Kurti.


MË SHUME NGA Lajme