Presheva, zgjedhje të jashtëzakonshme për oferta të harxhuara

Presheva, zgjedhje të jashtëzakonshme për oferta të harxhuara

Altin Ahmeti

Qytetarët e Preshevës dalin të dielën të votojnë në zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme të cilat po mbahen nga viti 2016, si rrjedhojë e veprimeve të klaneve dhe egove personale, që duan të rrëmbejnë pushtetin pa i fituar votat.

Për të tretën herë me radhë, partnerët minorë të partisë së Shqipërim Arifit, APN, pavarësisht marrëveshjes së nënshkruar për krijimin e qeverisë lokale, e braktisin koalicionin në mes të mandatit, duke provokuar shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por kushtet për zgjedhje të jashtëzakonshme të njëjtit i krijojnë pasi dështojnë të shkarkojnë kryetarin e zgjedhur në mënyrë demokratike, nga mungesa e votave në Kuvend.

Të gjitha zgjedhjet në Preshevë nga 2016 janë fituar nga Shqiprim Arifi me APN,  por tri herë partnerët e tij e prishën koalicionin në mes të mandatit, duke sjellë zgjedhje të reja.

Praktika të tilla antidemokratike në skenën politike të Preshevës u instaluan për herë të parë nga ai që quhet "baba i politikës në Preshevë", ish anëtari i partisë komuniste jugosllave Riza Halimi.

Me shembjen e murit të Berlinit dhe vendosjes së sistemit shumëpartiak në ish Jugosllavi, Halimi pati themeluar Partinë për Veprim Demokratik (PVD),  të cilën e udhëhoqi për 31 vite me radhë, rekord ky jo vetëm për liderët e hapsirave shqiptare, por dhe për komunistët e gjithë botës. Rekord diktatorësh nē fakt.

Për më keq, ish kryetari Halimi jo vetëm që braktisi koalicionin dhe arriti të shkarkoj kryetarin e zgjedhur në mënyrë demokratike, Shqiprim Arifin, por me pazare të pandershme vendosi në krye të Preshevës njeriun e tij, Ardita Sinanin.

Një vendim ky aspak i qëlluar i Halimit, pasi përveç faktit që pushtetin e mbajti për një kohë të shkurtër, partia e tij nuk arriti të krijojë procese dhe konkurencë demokratike për anëtarsinë që aspirojnë të dalë në udhëheqje.

Duke e komanduar Ardita Sinanin në krye të Preshevës dhe Partisë për Veprim Demokratik, ai stopoi rritjen, zhvillimin, garën dhe reformat që përjeton çdo parti kur ndërrohen krerët dhe gjeneratat. Esenciale veprim këto për zhvillimin dhe motivimin e organizatës.

Hilet e kësaj partie me partnerët,  bllokimi i garës dhe demokracisë brenda saj, bënë që PVD dhe ajo që ofron në këto zgjedhje, të jetë vetëm një Alternativë e konsumuar.

Votuesit e kësaj partie vazhdojnë ta votojnë atë për inerci apo për çështje lokalizmi, dukuri kjo mjaft e shprehur në këtë komunë, edhe pse e kanë të qartë që po votojnë për partinë e cila do të radhitet e treta.

Vota që do ta çonin partin në vendin e dytë apo të parë, kryetarja e saj nuk mund të marrë, pasi ka krijuar përshtypjen se lukun dhe modeli i flokëve zë rëndësinë e parë për të.

Në prezentimet e saj para qytetarëve, mungesa e një koncepti qeverisës është fare e qartë ndërsa kritika ndaj pushtetit nuk i merret seriozisht. Të njëjtat veprime ajo i kishte bërë vet, në ato pak muaj që qëndroi kryetare si dhuratë e bërë nga ish kryetari i partisë.

Komentet më të spikatura nga qytetarët janë në fakt për dukjen e saj, modelin e ri të flokëve apo për qëndrimin se një femër duhet të fitojë. Asnjë përgëzim, lavdërim apo mbështetje për qeverisje apo ide të sajën. Fatkeqësisht.

Njëlloj e harxhuar, qytetarëve të Preshevës po i ofrohet edhe Alternativa e kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.

Ragmi Mustafa, si askush më parë shërbeu si kryetar i Preshevës për tre mandate apo 12 vite të plota. Vet insiatimi i tij për të marrë sërish një mandat 4 vjeçar, e bën atë politikanin më ekzemplarë në të gjithë hapsirën shqiptare.

Çfarë ështe ky motivimi i tij për të ardhur në pushtet për të katërtën herë?

Ështe e qartë që pas 12 viteve si kryetar, insistimi i tij për të qeverisur sërish, ka të bëjë me egon personale.

Ata që e njohin mirë, pohojnë se humbjen që e mori në zgjedhjet e vitit 2015 nga Shqipërim Arifi, e ka përjetuar rënd, gjë e cila nuk duhej as të diskutohej.

Ku mund të gjejë kryetari i PDSH, Ragmi Mustafa një rast tjetër në botë, përveçse në vendet e humbura, ku një politikan fiton katër mandate radhazi. Në asnjë vend dhe asnjëherë.

Ndaj dhe humbjen pas 12 vjetësh në krye të Preshevës do duhej ta merrte me sportivitet. Qëlloi të ishte Shqiprim Arifi por mund të ishte një emër tjetër, Kosovar Haziri psh.

Çfarë duhet të mendojnë votuesit gjakftohtë dhe mendjehapur për një veprim të tillë, një politikan që dëshiron gjithë jetën të jetë kryetar. Që edhe pas tre humbjeve hyn sërish në garë!!!

Premisa të tilla flasin për karakter diktatorial që shohim vetëm veten e tyre në maje të piramidës. Sinqerisht për të pasur frikë.

Duke e ndjekur vetëm ambicjen personale për kryetar, Mustafa ka bllokuar partinë e tij.

Kryetar i përhershëm që nuk mendon për vendin dhe gjeneratat e reja, pasi një reformim i kësaj partie  dhe një figurë e re udhëheqëse do ishte kundërshtarë dinjitoz i APN dhe Shqiprim Arifit.

Mungesa e debatit dhe menaxhimi diktatorial i partisë, e ka sjellë PDSH në mungesë te ideve.

Vetëm kritika shterpë për veprime të cilat gjatë 12 viteve të qëndrimit të tij në pushtet, ishin shumë herë më të shumta dhe të mëdhaja.

Gjithsesi, alternativat e harxhuara nuk janë pjesa më e errët e zgjedhjeve të jashtëzakonshme që mbahen të djelën në Preshevë.

Por janë shpresat që këto dy alternativa të harxhuara kanë tek personi që ishte katalizatori i krizës. Tek Sami Saliu, i cili me partinë e tij minore që votohet kryesisht në fshatin e tij dhe fiton dy deputetë, nuk u mjaftua me pozitën e Kryetarit të Kuvendit, por tentoi me makinacione të bëhet i pari i Preshevës.

Një person i cili e çoi qytetin në zgjedhje në kulmin e pandemisë Covid 19 dhe më pas thotë se nuk bën fushatë për shkak të Covidit!!

Hipokrizi e pastër e një politikani, që synon të vijë në pushtet me alternativat e dështuara.
Kjo platformë humbësisht të vazhdushëm do duhej të merrte goditjen përfundimtare në këto zgjedhje.

Votuesit duhet vetëm të krahasojnë punët që janë bërë nga secili që ka qenë në pushtet dhe në bazë të saj të. votojnë

Cila ka punuar më shumë APN, PDSH apo PVD????

Nga fushata e këtyre zgjedhjeve vetëm Shqiprim Arifi me Apn po prezentojnë projekte dhe pune të kryera.

Partitë tjera në mungesë të tyre, ju kanë mbetur vetëm kritika si opsion.

Ndaj dhe s'ka alternativë për votuesit kësaj here apo janë alternativa të harxhuara.
Nëse nuk ndryshojnë në zgjedhjet tjera pas katër vjetësh, vetëm Armend Aliut me partinë e sapokrijuar ADSH do jetë alternativë serioze.