LDK sot vendos për presidentin
Grupi parlamentar diskuton nëse do ta formojnë kuorumin për Vjosa Osmanin.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot pritet të takohet për diskutuar dhe më pas për të marrë një vendim nëse grupi parlamentar i saj do ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente ose jo.
Një vendim të tillë, LDK do ta marrë pas disa takimeve që ka pasur kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, me Vjosa Osmanin edhe kokë më kohë, por edhe në takimin e përbashkët me Kurtin.
Një takim mes Abdixhikut dhe Osmanit është zhvilluar edhe të shtunën, ku sipas mediave, takimi është zhvilluar në frymë pozitive.
Po sipas këtyre burimeve, ekziston një frymë brenda LDK-së që Osmanit t’i krijohet kuorumi dhe të zgjidhet presidente e vendit.
Megjithatë, ka edhe përplasje të brendshme që tashmë kanë dalë hapur. Agim Veliu së fundi është përplasur ashpër me nënkryetarin e LDK-së, Gazmend Muhaxheri.
Po ashtu edhe një deputet tjetër i LDK-së, Driton Selmanaj, është përplasur me drejtuesit e partisë, Lumir Abdixhikun e Anton Qunin.
Në bazë të këtyre përplasjeve, këta dy deputetë mund të jenë kundër zgjidhjes së Osmanit presidente, konkretisht që LDK t’ia bëjë kuorumin.























