Janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit pilot PISA 2022
Ardiana Hajzeri
Më shumë se dy mijë nxënës nga 40 shkolla në nivel vendi janë përzgjedhur për të marrë pjesë në testin pilot për PISA 2022, i cili testim do të organizohet nga data 20 prilli deri me 15 maj të këtij viti.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, kanë bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit pilot PISA 2022. Ndërsa, njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se pilotimi i këtij testi nuk do të ndikojë në përgatitjen dhe ngritjen e njohurive të nxënësve.
Nga data 20 prilli deri me 15 maj të këtij viti dy mijë e 240 nxënës nga 40 shkolla që janë përzgjedhë në nivel vendi që do të marrin pjesë në testin pilot për PISA 2022. Drejtori i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Elezi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e testit pilot PISA 2022, i cili do të mbahet nga data 20 prill deri me 15 maj të këtij viti.
“ Për pilotimin e testit PISA 2022 janë caktuar 40 shkolla, janë bërë përgatitjet dhe janë informuar shkollat. Në test do të marrin pjesë nxënësit e lindur në janar të 2005 deri në 31 dhjetor 2005. Të gjithë nxënësit e lindur në këtë datëlindje do të marrin pjesë pa marrë parasysh a janë në klasë të dhjetë, njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetë, por shumica prej tyre janë në klasën e dhjetë. Testi planifikohet të mbahet prej 25 prill deri me 15 maj”, ka thënë Elezi.
Po ashtu, Elezi tha se në testin final PISA 2022 numri i shkollave dhe nxënësve pjesëmarrës do të jetë me i madh se në testin pilot, për arsye se do të marrin pjesë nxënësit e shkollës së mesme të ulët dhe asaj të mesme të lartë.
”Në testin pilot PISA 2022 do të marrin pjesë dy mijë e 240 nxënës kurse në testin final numri i nxënësve dhe shkollave që do të marrin pjesë do të jetë me i madh, për arsye se do të marrin pjesë nxënësit e shkollave të mesme të ulët dhe asaj të mesme të lartë”, ka shtuar Elezi.
Ndër të tjera, Elezi tha se mbajtja e pilot testit PISA 2022 do të varet edhe nga gjendja me pandeminë Covid-19.
E njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti Edguard në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se pilotimi i këtij testi nuk mund të kontribuojë në përgatitjen e nxënësve dhe se nuk pret ndonjë rezultat të mirë në testin PISA 2022, për arsye se testi PISA kërkon një reformë të thellë kurikulare.
“ Rezultatet në testin PISA nuk mund të korrigjohen me shpejtësi dhe as me kurse e përgatitje para testimit. Por testi PISA kërkon një reforme të thellë aurikulare të thirrur në kompetenca të cilat pastaj do të barteshin tutje në rezultatet nga ky testim”, ka thënë Qehaja.
Kosova ka marrë pjesë në testin PISA 2015 dhe në PISA 2018, ku në të dyja rastet është radhitur në vendet e fundit.























