Ademi për RTK-në nga Spanja: Duhet t’ua dijmë vlerën futbollistëve tanë
Kryetari i Federatës së Fubollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur nga Spanja ekskluzivisht për RTK-në. Ai e ka komentuar humbjen nga Suedia, por edhe ndeshjen e nesërme ndaj Spanjës. Ademi ka thënë se Suedia është e 20-ta në botë, derisa Spanja si ish kampione e botës.
“Por ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirën tonë nesër. Besoj në djemtë tanë, por edhe humbja është pjesë e futbollit. Nuk jemi përballur me kundërshtar kaq të fortë deri më tash. Nëse i shohim gabimet, do të ulemi dhe do të shohim analizat”, ka thënë Ademi.
Ai tutje ka thënë se në Kombëtaren e Kosovës pritet të ketë ardhje të reja të futbollistëve.
Duke komentuar kritikat ndaj përzgjedhësit Challandes, Ademi ka thënë se këto kritika janë normale, por ai nuk i përzihet atij për formacionin që bën.
“Gjithsesi ne duhet ta kuptojmë edhe forcën tonë që e kemi. Ndodhin kritika gjithkund, dhe për një ditë mund të jesh hero, e pas humbjes edhe tradhtar. Duhet t’ua dimë vlerën djemve dhe t’i respektojmë. Edhe Gjermania edhe Spanja kanë humbur me rezultate të thella. I kuptoj edhe kosovarët që dëshirojnë rezultate, sepse njerëzit e kanë mbajtur shpresën tek ekipi ynë Kombëtar, pasi që uniforma e Kosovës i jep kënaqësi këtij populli”, ka thënë Ademi. /RTKLive/























