Janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës për Presidentin
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka konfirmuar se pas zhvillimit të mbledhjes është marrë vendim që seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga deputetët do të mbahet sot në ora 18:00.
Në njoftimin e Kryesisë së Kuvendit u theksua se pas shqyrtimit të kërkesës së bërë nga 41 deputetë për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës janë plotësuar kushtet formale-juridike për zhvillimin e saj, transmeton lajmi.net.
Njoftimi i plotë:
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, u mblodh sot nën drejtimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, për të shqyrtuar kërkesën e 41 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Pas diskutimeve, Kryesia konstatoi se kërkesa i plotëson kushtet formale-juridike, prandaj seanca e jashtëzakonshme, konform kërkesës, do të mbahet sot, më 3 prill 2021, në orën 18:00.























