​Nagavci: Besoj që LDK do ta mbështetë ish-bashkëpartiaken e vet
BKT
Lajme

​Nagavci: Besoj që LDK do ta mbështetë ish-bashkëpartiaken e vet

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka shprehur besimin e saj se Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbështesë ish-bashkëpartiaken e tyre Vjosa Osmani për presidente.

Ajo tha se vendin nuk e dërgon në zgjedhje të reja iniciativa e tyre për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, por mos pjesëmarrja në votimin e shefit të ri të shtetit.

“Unë besoj që ata do mbështesin ish-bashkëpartiaken e vet…Vendin në zgjedhje e dërgon mos pjesëmarrja në votimin e presidentes, jo ligji. Ne për më tepër vetë kryeministri Kurti e ka bërë të qartë sot ka thënë që jemi të gatshëm dhe të interesuar që bashkë me opozitën të ulemi për të punuar në reformën zgjedhore. Ajo që u përdor dje si deklaratë për reformën zgjedhore nuk qëndron dhe edhe deputetët që kanë thënë një gjë të tillë e dinë se ajo nuk qëndron, iniciativa jonë ishte për propozim ndryshimin e ligjit…Nuk ishte e ngutshme por e vonuar”, tha Nagavci.

Nagavci është shprehur optimiste që sonte do të votohet Osmani për presidente, teksa kërkoi nga opozita të tregohet konstruktive.

“Unë sapo erdha në kuvend, LDK disa herë ka pasur disa deklarata, mendoj që vendit tani i nevojiten institucione të konsoliduara dhe të gjithë bashkërisht të punojmë për të tejkaluar sfidat me pandeminë , por edhe në secilën fushë që i takon. Konsideroj që deputetët nga cilado prej partive që janë të vetëdijshëm për zgjedhjet e shpeshta që i kemi pasur për situatën jo të mirë me pandeminë edhe do të marrin pjesë së paku në votim duke votuar ose jo Osmanin për presidente”, tha Nagavci.

Lidhur me deklaratën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili para gazetarëve tha se a jeni gati për pjesën e dytë të dramës, Nagavci tha se nuk veprojnë sipas skenarëve të PDK-së.

“Ne nuk veprojmë me skenarët e PDK-së ku kemi parë që do të ofrohen terminale e pozita për të votuar. Ne thërrasim në përgjegjësi të gjithë deputetët dhe besoj tashmë kur subjekti i parë që ka fituar zgjedhjet ka mbi 50 për qind të zgjedhjeve dhe për më tepër kur Osmani ka marrë mbështetjen e mbi 300 mijë qytetarëve besoj që është treguesi më i mirë për të gjithë deputetët që të reflektojnë dhe të marrin pjesë në votime”, u shpreh ajo.

Kujtojmë që seanca për zgjedhjen e presidentit ishte paraparë të fillonte në orën 18:00, por tani ajo është shtyrë për orën 19:00.


MË SHUME NGA Lajme