Mbetje mortore në Gjakovë, gjatë javës pritet të nisin gërmimet
Të hënën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka pranuar informacione se eshtrat e zhvarrosura vitin e kaluar nga një varrezë masive në Kizhevak të Serbisë, e që më pas janë dërguar për analizë të ADN-së, u përkasin viktimave të luftës në Kosovë.
Kryeministrit Kurti, gjithashtu kërkoi që sa më parë të fillojnë gërmimet edhe për gjetjen e mbetjeve tjera mortore në rajonet e Serbisë dhe të Kosovës.
E lidhur me këtë për Front Online, ka folur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.
Ai tha se gjatë javës do të koordinohen me policinë e Kosovës për krime lufte për t’i filluar gërmimet në disa pjesë të Gjakovës ku dyshohet se ka mbetje mortore të personave të vrarë në luftën e fundit.
“Për rastet që na kanë njoftuar ne kemi dal në teren, e kemi një rast në Gjakovë që janë gjetur disa mbetje mortore, këto ditë do të shkojmë, por do t’i shikojmë edhe masat e reja se a na lejojnë dhe do të koordinohemi me policinë e Kosovës për krime të luftës”, tha Gërxhaliu për Front Online.
Gërxhaliu tha se mostrat e mbetjeve mortore të cilat janë gjetur ditë më parë në Gjakovë, janë dërguar për ekzaminim në Komitetin për Persona të Pagjetur.
“Mbetjet janë marrë në Institut, është bërë ekzaminimi, mostrat i kemi dërguar në Komitetin për Persona të Pagjetur dhe jemi në pritje të analizës deri me tani nuk kemi ndonjë rezultat”, tha ai për Front Online.
Ndërsa për fillimin e gërmimeve në rajonet e Serbisë, Gërxhaliu tha se janë duke pritur përgjigje nga pala serbe.
“Kemi dy identifikime të reja, dje i kemi lajmëruar familjarët janë nga Rezalla, ende nuk e dimë kur kanë më fillu, ende nuk e kemi një përgjigje nga pala serbe. Ne presim që të marrim ndonjë informim pasi që koha po përmirësohet ne jemi të gatshëm të nismi në çdo moment”, tha tutje ai për Front Online.























