Në kujtim të 6 milionë viktimave hebrenj të Holokaustit

Në kujtim të 6 milionë viktimave hebrenj të Holokaustit

Shkruan: Artina Hamitaga

'Në kujtim të 6 milionë viktimave hebrenj të Holokaustit. Qoftë kujtimi i tyre një Bekim!” - Izraeli Sot

Yom HaShoah apo në hebraisht Jom Ha'Zikaron - Dita e Kujtesës, shënohet nga populli hebre dhe nga mbarë bota në kujtim të viktimave të Holokaustit (sipas kalendarit hebraik).

Holokausti është gjenocidi mbi hebrenjtë evropianë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milion hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga Gjermania, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.

Në atë kohë kur hebrenjtë vriteshin në mënyra më mizore, duke bërë edhe eksperimente mbi trupat e tyre të gjallë, ishin shqiptarët ata që ua hapën dyert e mbrojtjës dhe shpëtimit. 

Gjurmët e shpëtimit gjenden gjithandej tokave shqiptare. Në qytetet e fshatrat e Mitrovicës, Prishtinës, Gjilanit, Deçanit, Pejës, Gjakovës, Shkodrës, Krujës, Tiranës, Beratit, Kavajës, Durrësit, Elbasanit, Librazhdit, Korçës, Dibrës, Burrelit, Fierit, Lushnjës, Vlorës, Delvinës, Përmetit, Gjinokastrës, etj.. 
Hebrenjtë u drejtuan drejt Shqipërisë e tokave shqiptare, sepse e dinin se aty si nga populli ashtu edhe nga qeveria nuk kishte përndjekje të tyre, nuk kishte përbuzje fetare apo kombëtare, nuk kishte gjenocid ndaj kombeve të tjerë, se Shqipëria ishte strehë e sigurt. Ata e dinin se shqiptarët kishin besë, zbatonin këtë “Rregull të Artë”, se i hapnin derën mikut dhe kujtdo që ishte në nevojë dhe se hebrenjtë vendas jetonin si gjithë të tjerët. 

Më shumë se gjysma e hebrenjëve që jetonin në qytetet e Kosovës dhe ata që erdhën nga vendet e tjera, shpëtuan duke u zhvendosur në Shqipërinë e brendshme me ndihmën e qeverisë dhe popullit shqiptar. Një listë prej mbi 2000 hebrenjsh të shpëtuar nga shqiptarët deri në fund të Luftës II Botërore është dorëzuar në Yad Vashem. Në këtë numër nuk përfshihen hebrenjtë që hynë në Shqipëri me pasaporta jo të vërteta apo me emra të tjerë, ata që hynë fshehtas.