Pikat e zeza: Çfarë i shkakton, si t’i trajtoni dhe me çfarë

Pikat e zeza: Çfarë i shkakton, si t’i trajtoni dhe me çfarë

Pikat e zeza janë problematikë e shpeshtë që ndodh te lëkurat e yndyrshme ose mikse në zona të caktuara. Aq të thjshta sa janë për t’u formuar, aq të vështira janë ndonjëherë për t’i hequr qafe. Por a ka vërtet ndonjë mënyrë që t’u japësh fund pikave të zeza, përpara se ato t’i japin fund nervave të tua?

Çfarë janë fillimisht? Pikat e zeza janë pore të lëkurës të bllokuara me sebum dhe qeliza të vdekura, të cilat në prani të ajrit oksidohen dhe marrin ngjyën e zezë. Jo, ngjyra e zezë nuk tregon papastërti.

Para se të nisni me trajtimin e tyre, kini parasysh se:

1. Nuk duhet shtypur. Sado të të tundojë ajo pika e zezë mbi hundë, do bëje mirë t’i ulje duart poshtë. Sidomos kur fiksohesh vetë para pasqyrësh dhe masakron lëkurën për 20 minuta rresht. Mënyra jo e duhur e shtypjes së tyre nuk do e pastrojë kurrë plotësisht poren. Përveç inflamacionit që do t’i shkaktoni lëkurës, shtypja e tyre sjell zgjerimin e pores dhe madhësia e tyre nuk zvogëlohet më. Sado të dëgjoni vërdallë për produkte magjike që do t’i zhdukin, në momentin që do të zmadhohen, do të qëndrojnë ashtu. Kjo do të thotë se herën tjetër, kur ajo pore të kthehet sërish në një pikë të zezë, do të jetë akoma më e madhe. Dhe do të ndodhë shumë shpejt.

2. Krijimi i pikave të zeza vjen dhe si pasojë e mbiprodhimit të sebumit të lëkurës, i cili mund të jetë gjenetik ose të vijë si pasojë e lëkurës së dehidratuar. Lëkura e dehidratuar është një gjendje e lëkurës që vjen si pasojë e mungesës së hidratimit në lëkurë. Në të tilla raste, lëkura nis të mbiprodhojë yndyrë që të kompesojë mungesën e hidratimit. Prandaj është e rëndësishme që të mos shmanget hidratimi i përditshëm i lëkurës me anë të kremrave dhe serumeve që i përshtaten lëkurës suaj.

Trajtimi i pikave të zeza kërkon përbërës që eksfoljojnë dhe pastrojnë poret në thellësi. Të tillë janë acidet beta hidroksi (aka tmerri i poreve të bllokuara) acide të tretshme në yndyrë, të cilët kanë veti të eskfolojnë poret në brendësi duke bërë kështu pastrimin e tyre dhe largimin e pikave të zeza. Këto lloj acidesh, siç është acidi salicilik, mund të përdoren për trajtimin e pikave të zeza në produkte të ndryshëm, si larës, serume ose toner.