AAK kërkon nga Qeveria plan për menaxhimin e vaksinimit

AAK kërkon nga Qeveria plan për menaxhimin e vaksinimit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kërkon që sa më shpejt të sigurohet sasia e nevojshme e vaksinave dhe të bëhet publik plani për menaxhimin e vaksinimit.

Kjo parti, sigurimin e 20 mijë dozave të vaksinës po e konsideron “një pikë ujë në det”. Madje, kritika kanë edhe për mbylljen e lokaleve, meqë sipas tyre është e pakuptimit në kohën kur lëvizja është e lirë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj tha se duhet të sigurohen doza të tjera të vaksinës kundër virusit COVID-19. Sipas tij, në kohën e mbylljes së vendit, mbi 15 mijë qytetarë vetëm ditën e djeshme kanë shkuar drejt Shqipërisë. e po ashtu zyrtarë të shtetit e kanë lëshuar vendin gjatë ditës së djeshme

“Në kohën e mbylljes së gastronomisë, në kohën ku 15 mijë vet janë vaksinuar jashtë vendit, ku mbi 15 mijë qytetarë shkuan drejt Shqipërisë, ne si AAK kërkojmë prej qeverisë, kërkojmë prej ministrit Vitia që në afat sa më të shkurt të sigurohet sasia e nevojshme e vaksinave për vaksinim të popullatës. Kërkojmë që të bëhet publik plani për menaxhimin e pandemisë dhe plani për menaxhimin e vaksinimit. Kërkojmë që menjëherë dhe pa vonesë të shfrytëzohet buxheti i paraparë për blerje të vaksinave”, ka thënë ai.

Dreshaj i ka rekomanduar ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia që të bashkërendis forcat me ministrat paraprakë të këtij dikasteri, në mënyrë që të bashkëpunojnë për menaxhimin e kësaj situate.

“Në kohën kur kemi një lëvizje kaq të lirë me vende që regjistrojnë të lartë, kjo nënkupton që mbyllja e lokaleve në Kosovë nuk ka ndonjë kuptim. Sa i përket planit të vaksinimit, mendoj që ai duhet të bëhet publik, dhe jo të mbetet si një pako që flitet kohë pas kohë se cili segment është më i favorizuar.... 20 mijë vaksina janë një pikë ujë në det. Unë mendoj që nuk është bërë bashkimi i forcave për promovimin e vaksinës dhe sigurimit të vaksinës”, ka shtuar Dreshaj.

E, anëtarja e kryesisë së AAK-së, Iliriana Gafurri, kërkoi që të ketë transparencë në planin për vaksinim, ngaqë sipas saj ka ankesa për dozat e pakta të shpërndara për vaksinim.

“Brenda 60 ditëve të kemi dozat e dyta për këta që po vaksinohen tani. Prandaj është e urgjencës dhe imediate që vaksinat të sigurohen sa më shpejt”, ka shtuar ajo.

Aktualisht në Kosovë është duke u bërë vaksinimi i personave mbi moshën 85 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike. Ndërkohë që pas datës 13 të këtij muaji do të vijohet me ata mbi moshën 80 vjeçare.