Edhe një here Karantinë

Edhe një here Karantinë

Ballsor Hoxha

Është paradoksale njeriu para katastrofës e cila e godet, është krejtësisht i pa perceptim rreth saj. Por kur ajo ka kaluar ai i thurë po të njëjtës katastrofë të mbijetuar, himne dhe mite të pakrahasueshme me asgjë tjetër në këtë botë. Deri para pak kohe ka pasur një frikë dhe ankth në çdo të cekur të shprehjes – murtajë, apo – gripi spanjoll –, ndërkohë derisa ne jemi duke jetuar një prej murtajave më të rrezikshme dhe më të vështira në historinë e njerëzimit.

Dhe në këtë, me gjithë katastrofën në të cilën gjendemi, ne jetojmë secili në interesin e tij, secila parti politike në grumbullim të votave për mbijetesë në skenën politike, e secili futbollist në kërkim të kupës së tij, e qoftë edhe lypësit e rrugëve duke kërkuar lëmoshën e tyre në çdo kënd dhe në çdo kohë të ditës e qoftë edhe në karantinë.

Janë dy pamje krejtësisht të ndryshme dhe krejtësisht të pakrahasueshme, para dhe gjatë katastrofës që e godet  njeriun, derisa e para është një tmerr i paparamendueshëm dhe një e ligë e keqe e “pa emërueshme”, në anën tjetër derisa njeriu gjendet përbrenda katastrofës siç është murtaja e Covid, ai me çdo kusht, me çdo instinkt, me çdo vetëdije mundohet të mbijetojë dhe aq më shumë të akumulojë po të njëjtën pasuri dhe po të njëjtën mirëqenie qoftë edhe të tepruar.

Por, paradoksalisht, ajo që është më e mira, dhe më e e keqja në të njëjtën kohë, është vetë përvoja nga katastrofa e përjetuar. Shumë nga sjelljet tona janë të brendashkruara dhe programojnë sjelljen tonë në atkuale nga përvojat e tragjedive dhe katastrofave që prejardhja dhe paradhësit tanë kanë përjetuar në të kaluarën. Gjë që do të thotë se ajo që po përjetojmë është në të vërtetë ajo që po programohet dhe po ashtu brenda shkruhet në gjenet dhe në sjelljen tonë.

 Në të vërtetë, ne qoftë si pati politike në kërkim të votave për të mbetur në pushtet sot në këtë tragjedi, qoftë si futbollist që ushtron me gjithë karantinën dhe tragjedinë për të mos humbur formën, dhe qoftë edhe ata që kërkojnë lëmoshë, jemi duke mësuar. Aq më shumë, pikë së pari jemi të shastisur dhe të tmerruar nga kjo që po ndodh. Dhe së dyti, çdo gjë që është duke ndodhur nën këtë tmerr, është duke u brenda shkruar në sjelljen tonë, qoftë si planifikim jashtë pandemisë, dhe qoftë si epavetëdijshme për të kapur jetën në tërë potencialin e saj sa më thellë që është e mundshme si post – traumë jashtë pandemisë.

Sigurisht, Kosova është para pragut të vendimeve dhe proceseve të mëdha dhe të rëndësishme politike, por këto janë krejtësisht të kushtëzuara dhe në raport me sjelljen tonë të mësuar, të përvetësuar, të përbrendësuar dhe të vetëdijesuar dhe të ndërdijshme post – karantinës dhe sidomos post – pandemisë. Andaj duhet të mbahen, të organizohen dhe të krijohen shpjegime dhe udhërrëfyes për të mundur jo vetëm tmerrin e kësaj katastrofe që na ka goditur, por edhe të pranojmë atë që na ka goditur, dhe të krijojmë një vetëdije rreth kthimit  në realitet, në mënyrën më të hapur dhe më të padëmshme ndaj njëri tjetrit.