Në Mitrovicë përkujtohet masakra serbe në rrugën e Kovaqëve
Në 22-vjetorin e masakrës në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, të shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore ku janë të vendosur emrat e të rënëve, e ku të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha me këtë rast se kjo ishte masakra më e madhe e forcave policore serbe që kanë bërë brenda qytetit të Mitrovicës ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.
“Sot jemi mbledhur këtu të përkujtojmë të gjithë ata të cilët padrejtësisht e në mënyrë barëbare humbën jetën e tyre. Ne si institucione lokale kërkojmë nga institucionet e nivelit qendror, respektivisht kryeministri Kurti, që sa më parë të kërkoj drejtësi për këta qytetarë dhe për të gjithë të rënët, sepse vetëm kështu drejtësia do të shkojë në vend e kriminelët do të marrin dënimin e merituar”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Ndërsa, kryeparlamentari Konjufca, në prani të familjarëve të martirëve ka thënë se duhet të ngritët padi për gjenocidin serbë për të gjitha krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës.
Ai më tutje ka shtuar se këta martirë nuk mund të pushojnë të qetë përderisa kriminelët serb mbesin të lirë.
Në këtë masakër, që është njëra ndër më të mëdhat në komunën e Mitrovicës, nga kriminelët serbë janë të vrarë 31 shqiptarë.























