Kurti dorëzon komentet në Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe
BKT
Lajme

Kurti dorëzon komentet në Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe

Kryeministri Albin Kurti ia ka dërguar sot kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama- Hajrizi, një letër përgjigje në kërkesën e parashtruar nga 11 deputetë të Listës Serbe të cilët e ankuan për shkak se iu la ta udhëheqin vetëm një ministri.

Në letrën e saj, Qeveria e Kosovës kërkon nga Gjykata Kushtetuese që të nxjerr aktgjykim me të cilin e shpall kërkesën të pranueshme, të konstatojë se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe të refuzojë kërkesën për vendosjen e masave të përkohshme.

Po ashtu, Qeveria rithekson se përfaqësuesit e pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës janë konsultuar dhe propozimi i tyre është marrë parasysh në lidhje me emërimin e ministrit që përfaqëson komunitetin serb në Qeverinë e Kosovës.

Në këtë rast, Qeveria e Kosovës në argumentet e saj, konsideron se përfaqësimi i garantuar nga Kushtetuta e Kosovës për përfaqësuesit e pakicës serbe është respektuar me rastin e zgjedhjes së Qeverisë, rrjedhimisht, zgjedhja e saj është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës konsideron se duhet referuar dispozitave kushtetuese të cilat përcaktojnë procedurën për zgjedhjen e qeverisë, dhe atyre që garantojnë të drejtat e pakicave për përfaqësim në kuadër të saj, me qëllim që të vlerësohet nëse vendimi i kontestuar është nxjerr sipas procedurës së paraparë më kushtetutë dhe nëse i njëjti është për nga përmbajtja në përputhje me Kushtetutën.

Në fund, Qeveria e Kosovës konsideron se kjo çështje nuk ka asnjë paqartësi, andaj kërkesa për mbajtjen e seancës dëgjimore nuk është e justifikuar dhe se e njëjta duhet të refuzohet.

 


MË SHUME NGA Lajme