Kurti pranon urime nga kryeministri belg, Alexander De Croo

Kurti pranon urime nga kryeministri belg, Alexander De Croo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar letër urim nga kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, me rastin e marrjes së detyrës së kreut të ekzekutivit.

“Në letër urim, kryeministri De Croo ka thënë se me shumë interesim e ka marrë njoftimin mbi synimet e kryeministrit Kurti, lidhur me forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformën në drejtësi, konsolidimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, zhvillimin shoqëror e ekonomik dhe modernizimin e ekonomisë. Të gjitha këto, siç ka thënë ai, janë në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës dhe afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Më tej, ai ka thënë se qeveria belge mbetet plotësisht e bindur në ftesën për integrim evropian të Republikës së Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se Belgjika mbështet procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Belgjikës, De Croo ka ritheksuar cilësinë e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, si edhe gatishmërinë për të punuar bashkë në forcimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve. De Croo është shprehur se do të ishte i lumtur me mundësinë e takimit me kryeministrin Kurti, në vizitën e tij të ardhshme në Bruksel”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit dërguar mediave.