Kuka: Me ujë, zjarr dhe me xhudon e Kosovës nuk ka lojë

Kuka: Me ujë, zjarr dhe me xhudon e Kosovës nuk ka lojë

Trajneri kosovar i xhudos Driton Kuka ka reaguar i entuziazmuar pas suksesit të jashtëzakonshëm të arritur nga ekipi i tij në Kampionatin Evropian të Xhudos i cili u mbajtë në Lisbonë të Portugalisë.

Ai ka thënë se ky ishte evropiani më i trofeshëm në historinë e sportit të xhudos së Kosovës me dy medalje të arta, një të bronztë dhe dy vende të pesa, përcjellë KosovaPress.

Kuka ka lavdëruar secilin prej xhudistëve të cilët arritën sukses në këtë kampionatë.

“Akil Gjakova theu akullin për medalje elitare, por ai është edhe kampioni i parë dhe i vetëm Evropian në sporte olimpike në historinë e sportit tonë! Distria Kampione Evropiane për herë të parë në karrierën e saj, dominimi i saj në botë po vazhdon. Nora Gjakova e bronztë e shkëlqyeshme ishte në çdo aspekt.”, ka shkruar Kuka në “Facebook”.

Më tutje Driton Kuka ka bërë të ditur se nesër ata do të kthehen në Kosovë.

“Nesër drejt atdheut me medalje të cilat fitohen në arena sportive dhe kjo është vlera në sport! Po, po vlera në sport janë medaljet e prezentimi i shtetit fuqishëm kudo në botë!”

Shkrimin e tij Kuka në fund e ka mbyllur me thënien e tij: “Me ujë, me zjarr dhe me xhudon e Kosovës nuk ka lojë.”