Çeferin: Kurrë në jetë s`kam takuar një gënjeshtar si Agnelli
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka dal në konferencë të jashtëzakonshme për media rreth zhvillimeve të fundit në futbollin evropian, pas krijimit të Superligës nga 12 klubet e mëdha të Evropës.
Ceferin ka qenë i ashpër ndaj presidentit të Juventusit, Andrea Agnelli, duke zbuluar në detaje bisedat me të, teksa ka theksuar se nuk ka takuar kurrë në jetën e tij një person që gënjen si Agnelli.
“Unë kurrë nuk kam takuar një person që gënjen aq shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme si ai. Kam biseduar me të të shtunën mbrëma dhe ai më thë se të gjitha janë gënjeshtra (rreth zërave për krijimin e Superligës Evropiane). Ne nuk e kemi ditur se i kemi gjarpërinjtë kaq afër nesh, por tani e dimë”, ka deklaruar Ceferin.
Përveçse e cilësoi si marrëzi projektin e ri të 12 klubeve (Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Milan, Inter, Juventus, Manchester City, Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Tottenham), slloveni kërcënoi edhe lojtarët që do të luajnë në këtë turne.
Këta të fundit nuk do të lejohen të aktivizohen me kombëtaret e tyre në Euro 2021 dhe Botërorin Katar 2022. Jo vetëm kaq, pasi Ceferin ka një mesazh edhe për klubet rebele.
“Duhet t’i përjashtojmë sa më shpejt nga turnetë tona klubet që do të marrin pjesë në Super League. Është akoma herët, por do të tentojmë të zbatojmë ndaj tyre të gjitha sanksionet që mundemi“, theksoi gjatë fjalës së tij kreu i futbollit evropian.























