Kryetari i Bordit dhe drejtori i RTK-së raportojnë në Komisionin për Buxhet
Kryetari i Bordit, Sali Bashota dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati kanë raportuar në Komisionin për Buxhet të Kuvendit të Kosovës.
Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së në këtë mbledhje ka paraqitur edhe disa nga të punët e RTK-së.
“I paraqes disa nga punët dhe detyrat që i ka kryer RTK në një periudhë janar mars të këtij viti. Ne e kemi dorëzuar raportin për shpenzimet e këtij viti. Pavarësisht rrethanave që ndikojnë në veprimtarinë e këtij institucioni menanxhmeti është munduar t’i kryhej detyrat. Kemi arritur që me sukses të realizojmë shpenzimet brenda kornizës së caktuar. Kemi synuar transparencë të plotë më të gjitha shpenzimet që i kemi pasqyruar para jush”, tha ai.
Kryesuesi i Komisionit, Armend Muja ka pyetur se pse në raport ka më shumë shpenzime se sa të hyra.
“Afërsisht 3 milionë të hyra për janar – mars, kurse keni raportuar 3 milionë e 322 mijë euro shpenzime pse ka ndodhur kjo” ka pyetur Muja
Kurse Ngadhnjim Kastrati drejtor i përgjithshëm i RTK-së, ka thënë se kanë blerë kamera këtë muaj dhe prandaj ka më shumë shpenzime se të hyra por që kjo sipas tij barazohet në fund të vitit pasi RTK nuk nxjerr shpenzime për 3 mujor por vetëm për 1 vit.
Anëtari i komisionit nga PDK, Bedri Hamza, tha se duhet të diskutohet çështja e rregullimit të pronës për RTK-në, duke shtuar se raporti financiar nuk dallon nga ata paraprakë.
“Të diskutohet rregullimi i çështjes së pronës së RTK-së e cila është një pengesë për punën e saj. Sa i përket raportit të shpenzimeve, krahasimi i viti 2020 krahasuar me vitet paraprake nuk ka ndonjë ndryshim. Besoj që shumë shpejt do të ishte mirë që në përputhje me nevojat e RTK-së dhe buxhetin e Kosovës të bëjmë alokimin e dytë të buxhetit për muajt në vazhdim në mënyrë që t’Ia mundësojmë punën asaj.
Palë Lekaj ka thënë se nuk duhet që pa të drejtë të atakohet një medium publik si RTK.
“Nëse mendojmë që ne jemi financues dhe të i qesim duart mbi RTK, jemi gabim dhe nuk mund të arrijmë të shkojmë aq larg. Nuk kemi të drejtë të bëjmë presion siç bëri para disa ditësh ministri i Shëndetësisë. 785 mijë euro janë vetëm për paga për këta muaj që nuk i jep hapësirë zhvillimit të teknologjisë andaj kjo duhet të shqyrtohet. 11 milionë mendoj që janë pak që i jep Kuvendi për një medium që synojmë ta kemi, të pavarura e të pandikuar” ka thënë Lekaj.























