Për veten, për të tjerët rreth nesh dhe për gjeneratat pas nesh!

Për veten, për të tjerët rreth nesh dhe për gjeneratat pas nesh!

Zeqir Veselaj

Për veten, për të tjerët rreth nesh dhe për gjeneratat pas nesh!

Dita e Tokës shënohet që nga 22 prill 1970, me aktivitete vetëdijësuese për rëndësinë e mbrojtjes së planetit nga abuzimi i skajsh[m nga faktori antropogjen. Motoja e sivjetme globale e Ditës së Tokës është “Restore our Earth” që në përkthim shqip i bie “Riktheni Tokën tonë”. Po ku ta rikthejmë, kush e ka rrëmbyer dhe prej kujt është rrëmbyer? Një pyetje fantazmagorike në dukje, por me shumë kuptim për realitetin tonë natyror e sidomos atë klimatik pasi abuzimi ynë sot është duke rrëmbyer të ardhmen e gjeneratave pas nesh. Të dhënat shkencore tregojnë se njerëzimi është duke shfrytëzuar resurset natyrore të këtij planeti më shumë se sa q[ planeti mund t`i prodhoj e regjeneroj. Gjithashtu njerëzimi është duke gjeneruar ndotje e degradim më shumë se sa ky ekosistemi Tok[ po mund t`i absorboj. Sipas të dhënave të Ecological Footprint Network, forma se si sot njerëzimi po shfrytëzon resurset natyrore, është larg kapacitetit që biosfera jonë mund të rigjeneroj brenda atij viti. Shprehur në indikatorin hektarë global (gha), ekosistemi Tokë prodhon biokapacitet (prodhim bimoase) prej 1.6gha për kokë banori, ndërsa që kërkesa e njerëzimit mbi këto resurse është 2.7gha. Me këtë qasje kërkese mbi resureset, ne shpenzojmë 1.1 gha më shumë se sa biosfera jonë mund të prodhoj. Kjo projekton argumentin se njerëzimit tashmë i duhet edhe 0.6 planete për plotësimin e nevojave, pra 1.6 planete Tokë. Kjo diferencë, p[rb[n borxhin ekologjik që po hyjmë, respektivisht resurset që po ua “rrëmbejmë” gjeneratave pas nesh. A mund të flitet për kthim?. Afër 8 miliard njerëz “pompojnë” në atmosferë rreth 30 gigaton ekuivalent CO2 gjatë vitit, duke “trashur” edhe më shumë “batanijen” që po ngrit temperaturën globale.
Viti 2020 do të mbahet mend si viti i Covid19, por edhe si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. Kjo e konfirmuar nga agjencit[ elitare botërore si: NASA, NOAA, Berkeley, Copernicus Era5, Hadley etj. Për pandeminë, mund të thuhet se drita në fundin e tunelit po shihet përmes vakcinimit më të madh global në histori. E njëjta nuk mund të thuhet për vitin rekord të nxehtë, pasi sipas trendeve 2020-ta jo shumë gjatë pritet të mbaj rekordin. Mbase mund të thyhet qysh me 2021. Po del të jetë fakt ajo që po alarmojnë ambientalistët e mëdhenj se “menaxhimi i pandemisë Covid19 është vrapim 100 metërsh në raport me maratonën e ndryshimeve klimatike”. 

Ndryshimet klimatike dhe Kosova.
Këtë muaj Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës publikoi Raportin e Treguesve Mjedisor 2020. Një punë e mirë kjo pasi për herë të parë mund të shihen dhe analizohen disa trende të presioneve n[ mjediso dhe ndryshimet që ato po shkaktojnë në mediumet mjedisore. Edhe pse ka gjëra për tu diskutuar mbi cilësinë e raportit, megjithatë do i referohem atij për të trajtuar disa nga ato që quhen vital signs apo shenjat vitale të ekosistemit të vendit tonë.
Për Kosovën ende nuk dihet sa është Gjurma ekologjike (Ecological Footprint) individuale e as kombëtare. Nuk dihet as biokapaciteti i ekosistemeve e as Dita e Tejkalimit (data kur shpenzojmë atë që krijon dhe regjeneron brenda një viti ekosistemi ynë). Këto koncepte nuk figurojnë askund në dokumentat politike të zhvillimit të qëndrueshëm. Autori i këtij shkrimi, në bashkëpunim me Arizona State University dhe me mbështetjet të Open Society Institute ka filluar të zbatoi projektin e parë në lidhje me prezantimin e këtyre koncepteve të qëndrueshmërisë për publikun kosovar.
Dihet se jemi territor i vogël si shtet dhe në raport me dendësinë e popullatës kemi pak tokë pune bujqësore për kokë banori. Sipas Raportit, Kosova në vitet e fundit ka shënuar rënie prej 1.6% të sipërfaqes së tokës për përdorim bujqësor dhe ulje të sipërfaqes së punueshme nga 0.20 në 0.18 ha për kokë banori. Kjo vjen si rezultat i konvertimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore (nga ndërtime legale e ilegale), në tokë pyjore dhe në sipërfaqe ujore (zgjerim i shtretërve të lumenjve nga gërryerjet e vërshimet). Kjo nënkupton që edhe pse ende të pallogaritura, biokapaciteti i tokës së Kosovës (oferta) është ulur që rrjedh automatikisht në rritje të gjurmës ekologjike (kërkesës). 
Ngrohja globale  dhe ndryshimet klimatike po tregohen si rreziku më i madh për njerëzimin deri më sot. Sipas Raportit, temperatura mesatare në Kosovë për peridhën 2003-2019 është rritur për 1.4oC në raport me peridhën 1930-60. Kjo temperaturë del të jetë 0.16 oC mbi mesataren globale që sipas NASA është rritur për 1.24 oC. Se sa ka ndryshuar klima jon[, po e përjetojmë çdo ditë.
Një nga faktorët që determinon gjenerimin e mbeturinave në një shoqëri, është statusi ekonomik i saj: sa më e pasur një shoqëri aq më shumë mbeturina gjenerohen dhe anasjelltas. Sasia vjetore e mbeturinave të gjeneruara për kokë banori sipas Raportit është dyfishuar për 5 vjet: nga 140 kg për kokë banori me 2014, në 280 kg në vitin 2018. Janë dy arsye pse shohim aq shumë mbeturina kudo. E para, se gjenerojmë shumë dhe hedhim shumë atje ku nuk duhet duke krijuar vendgrumbullime mbetjesh (unë nuk i quaj deponi ilegale, sepse nuk janë të tilla). E dyta, se shumë pak nga mbeturinat trajtohen (ripërdorim e riciklim) e shumica shkojnë në deponi. Piramida e mbeturinave e BE-së si koncept, në Kosovë është e kthyer përmbys: deponia mbetet zgjidhja më e disponueshme. Deponitë e hapura si këto tonat paraqesin një kontribues të fuqishëm të shkarkimeve të gazeve serrë, e sidomos metanit. 
Kosova është vend me resurse të kufizuara të ujit. Edhe ato pak resurse ujore janë të atakuara nga humbjet në sasi por edhe degradimi në cilësi. Konsumi i ujit në sasi sipas Raportit është rritur nga 190 milion m3 në vitin 2009 në 240 milion m3 me 2019. Humbjet mesatare të ujit të gatshëm për pije përgjatë periudhës 2012-19 sillen prej 80-90 milion m3 që në fakt është rreth ¼ e vëllimit të përgjithshëm. Tepër ujë i humbur. Resurset ujore janë të atakuar në cilësi nga aktivitetet të rënda degraduese dhe ndotje nga ujërat e zeza që transmetojnë kontaminues fizik, kimik e biologjik. 
Kosovarët kanë shënuar një zhvillim të hovshëm në sektorin e transportit pas luftës e këndej. Nëpër rrugët e Kosovës, në vitin 2011 kanë qarkulluar rreth 170 mijë vetura, ndërsa në vitin 2019 janë mbi 291 mijë të tilla. Mbi 2/3 e këtyre veturave janë me standardin e Euro 1-3 e më poshtë, ndërsa më pak se 1/3 janë me Euro 4-6 (standard i pranuar për qarkullim në rrugët e BE-së). Kur furnizoj veturën time, shoh se tek pikat e furnizimit me benzinë, veturat janë të rralla përderisa te ato të naftës pritet në rradhë. Kjo gjë lidhet me standardin ekonomik të kosovarit, por është tregues i qartë se djegia e naftës shkarkon në ajrin ambiental më shumë se sa benzina. 
Kosova ka një shtrirje të kënaqshme të rrjetit së zonave natyrore nën mbrojtje ligjore. Nëse në vitin 1985 vetëm 1.1% e territorit ishte e mbrojtur, sot kemi dhjetëfishin e saj (mbi 11%). Është i vetmi tregues mbase ku Kosova qëndron në kërkesat e standardeve ndërkombëtare, dhe më mirë se shumë shtete e rajonit. Mirëpo kjo mbrojtje ligjore nuk është se ka zvogëluar shumë presionet mbi vlerat natyrore dhe biodiversitetit që nga rrezikimi i specieve me zhdukje, prerje pyjesh, degradim, ndotje, ndërtime pa leje etj. Kontributi i zonave të mbrojtura në zhvillimin ekonomik sot është i pap[rfillsh[m, por me pasoja të rënda për ekosistemet brenda tyre. 

Si të ndihmojmë?
A mundemi secili nga ne të veprojmë, të ndihmojmë? Sigurisht se po. Ndryshimi fillon nga vetvetja. Duhet ta ndërrojmë qasjen tonë: të logjikojmë pak më me “eko” se sa me ego. Shoqëria kosovare njihet për ego, pasi shumë mirë ruajmë gjithçka që kemi personale, por kjo nuk vlen fare për atë të përgjithshmen. Nënë Tereza ka thënë se “bota nuk ndryshohet nga veprimet e mëdha, por nga veprimet e vogla që kryhen me dashuri të madhe”. Dhe ne duhet ta rrisim dashurinë tonë për këtë vend të bukur ku jetojmë, për ne por edhe për të mirën e gjeneratave që presim të jetojmë në këtë vend. Nëse nuk mund të paramendohet sot jeta pa veturë, kursejeni atë kur mundeni sepse ndihmoni shëndetin, xhepin dhe mjedisin tuaj. Nëse energjia elektrike është kusht për jetën e përditshme, ndalni dritat atëherë kur nuk i’u duhen. Sepse për atë dritë kot digjet qymyr dhe gjenerohet shumë ndotje në ajër, ujë dhe prodhohet shumë hi që okupon tokën bujqësore. A e dini vetëm sa harxhojnë paisjet elektrike, kur nuk janë punojnë por janë në “stand by”. Ajo “pika e kuqe” kur e ndalni televizorin me pilotin e dorës, ose e mbushësit të paisjeve elektrike, përbën një pjesë të faturës mujore të rrymës. Nëse keni mjaft ujë, megjithatë kurseje sepse dikush nuk e ka atë. Mbeturinat tona vendin e kanë në kontejner e deponi dhe jo nëpër rrugë, trotuare, lumenj e liqej. Zonat e mrekullueshme të natyrës sonë janë trashëgimi natyrore të dhuruara nga gjeneratat e kaluara për t’u shijuar e jo për t’u degraduar për gjeneratat e ardhshme. 
Çka duhet të bëjmë për ta përmirësuar mjedisin tonë? Asnjëherë për njeriun nuk ka qenë më komplekse si të sillet por duhet të fillohet nga më e thjeshta: t’a ulim sa më shumë abuzimin me natyrën. Të tjerat natyra i kryen vet. Ajo mund ta regjeneroj vetveten, nëse ne mund të lejojmë këtë. Këtë na e dëshmoi “frenimi” disa mujor i aktiviteteve degraduese që rezultoi nga mbyllja totale gjatë pandemisë Covid19 n[ pjes[n e parë të vitit 2020. Çdo veprim të mirë që bëjmë për mjedisin, e bëjmë për veten, për ata që jetojnë rreth nesh e posaqërisht ata që do vijnë pas nesh. 

Dr. Zeqir Veselaj
Ligjërues i edukimit mjedisor në UP