VIDEO-Kurti: Kosova nuk po e neglizhon dialogun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me shefin e diplomacisë së BE-së Josep Borel, tha se Kosova nuk do të merr vaksina nga vendet tjera, përveç vendeve perëndimore.
Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor. Ai tha se dialogu nuk do të neglizhohet nga ana e Prishtinës, mirëpo siç tha ai, ky proces duhet të zhvillohet mbi bazën e parimeve.
“Javën tjetër në Prishtinë ne do të miratojmë programin qeverisës dhe planin e punës, dhe pastaj ai do të dërgohet në kuvend. Në anën tjetër, neve na duhen më shumë dokumente për dialogun e kaluar, që të përgatitemi. Në maj do të takohemi me opozitën, për të pasur qëndrimet e tyre. Së pari do të kemi darkën e liderëve të Ballkanit Perëndimor në maj dhe pastaj dhe në qershor do të fillojmë me kapitullin e ri të dialogut”, tha Kurti.
"Ne shikojmë përpara, ne kemi prioritet punësimin, menaxhimin e pandemisë, kemi nevojë për vaksina. Ne varemi nga remitenca dhe presim që diaspora të vij këtë vit në Kosovë", tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij Kosova nuk po e neglizhon dialogun.Për 'non papers", kryeministri Albin Kurti vlerësoi se për të janë të parëndësishme. "Sa më pak që merremi me to, e ndihmojmë veten", theksoi Kurti.
Kurse shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borel, për "Nonpapers", tha se janë fake news.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Borrell, tha se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut me Serbinë dhe se rruga e saj evropiane kalon përmes këtij dialogu.
“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka rrugë tjetër dhe nuk ka alternativë. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë është thelbësore për të lëvizur në perspektivën evropiane. Në të kundërtën, rruga do të jetë e bllokuar”, tha Borrell pas takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nuk do të jetë e lehtë, por për përfitimin e njerëzve në Kosovë dhe Serbi dhe në rajon duhet që ky proces të vazhdojë shumë shpejt”, tha Borrell.























