Ministri Aliu tregon arsyet e vonesës së programit të Qeverisë Kurti 2
Ndërkohë që Qeveria Kurti ka publikuar programin e saj të plotë qeverisës, Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka folur mbi arsyet e vonesës së këtij programi.
Aliu në Klan Kosova ka thënë se për të pasur një program të mirëfilltë qeverisës është e pamundur që “idetë tua që i ke t’i vendosësh në letër pa i ballafaquar me realitetin që ekziston brenda ministrive”.
“Vendosja e një programi të ri që është krejtësisht ndryshe nga programet e mëhershme qeverisëse merr kohë pak më tepër. Është realizuar brenda kohës, bile kemi pasur presion që ta bëjmë sa më shpejt. Janë vendosur binarë të mirë të rrugëtimit të punës në secilën ministri”, tha Aliu.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka miratuar programin qeverisës për 2021-2025, i cili tashmë është publikuar i plotë nga Zyra e Kryeministrit. Ndër prioritetet më urgjente janë menaxhimi i COVID-19 dhe lehtësimi i pasojave ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia. Prioritet mbetet edhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.
Sa i përket menaxhimit të pandemisë, Qeveria Kurti ka paraparë të ndërmarrë disa hapa, në mesin e të cilëve është sigurimi i vaksinës i 60 për qind të qytetarëve, në grup-moshën e atyre që duhet vaksinuar deri në fund të këtij viti, pako emergjente financiare për mbështetje të trajtimit klinik për të shtruarit në klinikat e dedikuara për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe hapa të tjerë.
Qeveria ka paraparë edhe riorganizim të sektorit të shëndetësisë, si dhe ndryshimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor. Lidhur me parandalimin dhe luftimin e krimit, Qeveria ka paraparë ngritjen e kapaciteteve njerëzore, analitike dhe hetuese të mekanizmave të rendit dhe sigurisë. Po ashtu qeveria synon të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.























