Osmani: Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë

Osmani: Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.

Postimi i plotë i Osmanit:

Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga  Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb.

Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.

Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë.

Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti.

Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon!


MË SHUME NGA Aktuale