Abdixhiku: Qeverive pa përvojë iu duhet kohë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se programi qeveritar tregon mungesën e ambicies dhe përkushtimit për të punuar.
Abdixhiku ka kërkuar përgjigje specifike nga Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, të cilit ia bëri tri pyetje.
“Sa do të jetë rritja ekonomike kryeministër nër 4 vitet e tua? Çfarë rritje synon për secilin vit? Çfarë buxheti do të kesh dhe ku do ta shpenzosh këtë buxhet?”, tha Abdixhiku.
Në politikën e jashtme, Abdixhiku tha se Qeveria gjithashtu tregon mungesë vizioni në programin qeveritar.
Në fund, ai u pajtua me synimin e Qeverisë për të ngritur padi kundër Serbisë për gjenocid. Por, Abdixhiku tha që kjo të mos përdoret politikisht, teksa kërkoi që për këtë çështje, Qeverisë i duhet një përgatitje e mirë.
“Nuk mund të vazhdoni qeverisjen duke kritikuar të kaluarën, qytetarët ju kanë shpërblyer me mbi 50% të votave, e neve na kanë dhënë dënim, andaj e njëjta ju pret edhe juve nëse nuk punoni. Në programin e prezantuar, me gjithë sfidat kryesore me të cilat po përballemi, e keni përmbledh të gjithë shëndetësinë në një faqe të programit”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka përmendur edhe paralajmërimin e Kurtit për padinë ndaj Serbisë në GJND, ku ka thënë se kjo padi nëse synohet të bëhet, duhet të përgatitet mirë në mënyrë që të mos dështojë.























