57 golat kuqezi nëpër Evropë: Manaj e Uzuni ndajnë “kurorën”
BKT
Sport

57 golat kuqezi nëpër Evropë: Manaj e Uzuni ndajnë “kurorën”

Shqipëria ka vuajtur shumë në sulm, pasi lojtarët që kanë për detyrë ta çojnë topin në rrjetë nuk kanë pasur shifra fort të mira në kampionatet ku luajnë.

Sezoni i fundit ka qenë ndryshe dhe Rey Manaj e Myrto Uzuni janë ata që kanë shënuar më shumë se të gjithë.

Lushnjari, pjesë e Barcelona B, ka shënuar 14 gola në 22 ndeshje në ligën e tretë spanjolle, duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Veç këtyre golave, Manaj numëron edhe tre gola me Shqipërinë, i fundit ndaj San Marino në kualifikueset e “Katar 2022”.

17 gola këtë sezon ka realizuar edhe Myrto Uzuni, i shpallur kampion në Hungari me fanellën e Ferencvaros. Beratasi e mbylli sezonin si shënuesi më i mirë i skuadrës së tij, ndërkohë që nuk duhet lënë pa përmendur që në javët e fundit të kampionatit nuk mori fare minuta.

Me Shqipërinë Uzuni shënoi kundër San Marinos në ndeshjen e fundit dhe në vëllazëroren me Kosovën, ndërkohë që nga të gjithë golat e këtij sezoni ai nuk mund të harrojë atë që shënoi në grupet e Champions League, kundër Juves, pas dy të tjerëve në fazat kualifikuese.

Fantastik ka qenë viti 2021 për sulmuesin Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas shënoi 8 gola në kampionat me fanellën e Konyaspor, ndërkohë që ka realizuar edhe katër të tjerë me kombëtaren e drejtuar nga Edi Reja, duke e mbyllur sezonin me 12 gola.

Një më pak ka shënuar Armando Broja, sulmuesi nga Malësia e Madhe që ka spikatur në Holandë me fanellën e Vitesse.

Futbollisti i kombëtares shqiptare ka shënuar 10 gola në kampionat dhe një në kupën e Holandës, në gjysmëfinale. Shifra mjaft të mira, duke ditur se ky është sezoni debutuar për 19-vjeçarin ne Eredivise.