Salihu flet për mediat kazake për anulimin e ndeshjes miqësore
Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka folur për mediat kazake për anulimin e ndeshjes miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kazakistanit, e cila ishte paraparë të zhvillohej më 4 qershor në “Fadil Vokrri”.
Kjo miqësore dështoi edhe pse të dyja federatat më herët kishin arritur marrëveshje për zhvillimin e saj.
Shkas për anulimin e saj u bë Qeveria e Kazakistanit, e cila nuk e lejoi ekipin kombëtar kazak që të udhëtojë në Prishtinë, për shkak se nuk e njeh ende Kosovën si shtet.
Deri më tash Federata e Futbollit e Kazakistanit nuk ka dhënë ende asnjë sqarim në opinion lidhur me këtë temë.
“Ne kemi marrëdhënie shumë të ngrohta dhe miqësore me Federatën e Futbollit të Kazakistanit. Ne ramë dakord për ndeshjen miqësore brenda pak minutash – ka pasur vullnet të mirë dhe kënaqësi për ta pritur ekipin tuaj. Por, ne e kuptojmë plotësisht Federatën e Kazakistanit pasi ajo mori një ndalesë nga qeveria juaj për zhvillimin e kësaj miqësoreje”, ka thënë Salihu për gazetën online kazake “SportsKZ”.
Tutje sekretari i përgjithshëm i FFK-së ka thënë se ishin të zhgënjyer me këtë vendim nga Qeveria kazake, por ka thënë se nuk d të kërkojnë dënimin e Federatës kazake nga UEFA për anulimin e njëanshëm të kësaj miqësoreje.
“Ne ishim të zhgënjyer për këtë fakt, pasi kemi simpati për popullin kazakë dhe historinë e tij. Kjo ishte thjesht një ndeshje futbolli dhe jo një luftë. Por, ne nuk do të vendosim gjobë për Federatën e Futbollit të Kazakistanit, sepse ne e konsiderojmë presidentin e saj, sekretarin e përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë si njerëz shumë të sjellshëm dhe konstruktivë”, ka nënvizuar Salihu.
Ai ka thënë se nuk e priste një pengesë të tillë nga politika kazake, teksa ka thënë se menjëherë e kanë gjetur kundërshtarin e ri për qershor.
“Shpresoj që qeveria juaj ta pranojë faktin që ne kemi nevojë për miqësinë dhe respektin tuaj përmes sportit, dhe jo të vendosë barriera që mund të dëmtojnë reputacionin e vendit tuaj. Neve anulimi i kësaj miqësoreje nuk na solli probleme, sepse asnjëherë nuk kemi probleme për të gjetur kundërshtarë ngase bëjmë pjesë në Evropën Juglindore. A do të negociojmë sërish në të ardhmen për një miqësore me kazakët? Ne jemi të zhgënjyer, por përsëri do të jemi konstruktivë, miqësorë dhe dashamirës ndaj popullit tuaj”, ka përfunduar Salihu.
Në fakt, FFK arriti që menjëherë për miqësoren e dytë të muajit të ardhshëm të gjejë rivalë të ri, pasi me 4 qershor do të luajë kundër Maltës në Austri. Ndërkohë, miqësoren e parë do ta luajë më 1 qershor në “Fadil Vokrri” kundër San Marinos.
Në këto dy miqësore Dardanët do të paraqiten me ekipin e parë, derisa në dy miqësoret tjera të muajit qershor në Antalia, kundër Guinesë dhe Gambisë do të paraqiten kryesisht me lojtarë të Superligës.























