Dardanët zhvillojnë stërvitjen e parë para miqësoreve
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar të premten në mbrëmje seancën e parë stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të qershorit, kundër San Marinos dhe kundër Maltës, që luhen më 1 dhe 4 qershor.
Në stërvitjen e parë ishin të pranishëm 20 futbollistë, derisa tre të ftuarit e tjerë të këtij grumbullimi (Bashkim Ajdini, Astrit Selmani dhe Herolind Shala) do të bashkohen me ekipin të enjten, pasi janë ende të angazhuar në klubet e tyre, njofton Klan Kosova
Në këtë grumbullim për herë të parë me Dardanët ishin edhe Destan Bajselmani, që luan te PEC Zwolles, Blendi Idrizi (futbollist i Schalke 04) dhe Lorik Emini që është futbollist i Luzernit.
Gjatë muajit qershor Kosova do të luajë katër miqësore, megjithatë për dy ndeshjet në Antalia kundër kombëtareve afrikane, Guinesë dhe Gambisë, përzgjedhësi Challandes do ta publikojë listën e futbollistëve javën e ardhshme.
Stërvitja e radhës e Dardanëve mbahet nesër në orën 17:30 (15 minutat e para janë të hapura për media).























