Kurti: Përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës-synimi jonë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, mori pjesë në përurimin e çerdhes së parë publike në Prizren.
Në këtë çerdhe do të edukohen 240 fëmijë në 12 paralele, 10 në gjuhën shqipe, një në atë boshnjake dhe tjetra në turke, ndërsa familjet e fëmijëve të dëshmorëve, fëmijëve me nevoja të veçanta dhe atyre të cilët janë në asistencë sociale nuk do të kenë nevojë që të paguajnë për këtë çerdhe.
“Edukimi cilësor nuk mund dhe nuk duhet të jetë privilegj për disa, por e drejtë e garantuar për të gjithë, në mënyrë që secili të realizojë potencialin e saj dhe të tij”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se shërbimet cilësore në fëmijërinë e hershme mund të ndryshojnë trajektoren e zhvillimit të një fëmije, familjes dhe komunitetit në përgjithësi.
Kryeministri Kurti, më tutje, në fjalën e tij, tha se përmirësimi i edukimit, rritja e cilësisë dhe ekselencës do të mbeten synim kryesor dhe betejë e vazhdueshme për qeverinë.
“Pra duhet të kujdesemi që të kemi hapësirat e nevojshme, pajisjet, edukatorët dhe teknologjinë, në mënyrë që si shoqëri të fitojmë betejën me të ardhmen”, tha Kryeministri Kurti.























